E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndokaj: “Buxhetit të shtetit do t’i mungojnë 70 milionë dollarë çdo vit nga pasaportat biometrike”



Deputeti i Partisë Demokristiane, Jak Ndokaj, në analizën e bërë projektbuxhetit për vitin 2009 ka konstatuar se buxhetit të shtetit do t’i mungojnë 70 milionë dollarë çdo vit për shkak të kontratës koncensionare për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. “Investimet janë të papërfillshme në krahasim me kohën dhe afatin e vetëshlyerjes. Në kontratë shfrytëzohet një infrastrukturë e gatshme intelektuale dhe njerëzore dhe shfrytëzohet infrastruktura e institucioneve shtetërore.
Kontrata ka efekte negative në sigurinë e të dhënave personale dhe ato kombëtare. Të dhënat personale dhe ato të popullsisë do të menaxhohen nga koncesionari, ndërkohë që këto të dhëna kanë interes individual e kombëtar”, - është shprehur Ndokaj.
Ai madje ka theksuar se shteti shqiptar është plotësisht i aftë të prodhojë dhe të përpunojë bazat e të dhënave me shtrirje lokale dhe kombëtare për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, duke i pasur ato tërësisht pronë të shtetit shqiptar. Më tej, Ndokaj ka shtuar se prodhimi i kartave të identitetit jashtë shtetit nuk do të sjellë hapje të vendeve të reja të punës për shqiptarët, gjë që përbën kosto për vendin. Po kështu ai sjell në vëmendje se kartat e identitetit do t’i shiten qytetarëve shqiptarë, gjë që rrit sërish humbjen.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›