E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat grabisin në shtëpi dy pleq të vetmuar

Vjedhje me maska dhe armë
në një banesë në qytetin e
Lushnjës. Policia lokale është
vënë në kërkim të autorëve,
ndërkohë që vjedhjet janë kthyer
në fenomen shqetësues, si për
policinë dhe për komunitetin
gjatë vitit 2008 në qytetin
myzeqar. Sipas burimeve zyrtare
të Policisë së Lushnjës, dy
persona me maska dhe të armatosur
kanë kryer vjedhje në një
banesë private në lagjen "Kongresi
i Lushnjës" në Lushnjë. Siç
bëjnë të ditur burimet zyrtare të
policisë, denoncimi është bërë
nga çifti i të moshuarve, Pilo dhe
Violeta Kondakçiu, përkatësisht
82 dhe 75 vjeç. Vjedhja është
bërë dje rreth orës 03:00. Dy personat
e armatosur dhe me maska
në kokë, nën kërcënimin e
pistoletave që mbanin në duar,
kanë arritur të marrin rreth 600
mijë lekë nga kursimet e të
moshuarve. Burimet nga grupi i
hetimit treguan për gazetën
"Shqip" se grabitësit kanë hyrë nga
dritarja e katit të parë të shtëpisë
së vjetër dykatëshe të çiftit
Kondakçiu. Fillimisht ata kanë
kapërcyer murin rrethues pa asnjë
problem. Më pas kanë mundur
të hapin lehtësisht hekurat
e dritares në katin e parë dhe që
prej andej kanë mundur të futen
në dhomën ku po flinin dy të
moshuarit. E terrorizuar, Violeta
Kondakçiu e ka dorëzuar me
dorën e saj shumën e 600 mijë
lekëve. Më pas çifti ka lajmëruar
policinë e qytetit, e cila menjëherë
ka shkuar në vendngjarje.
Pleqtë treguan gjithçka ka
ndodhur, duke dhënë edhe karakteristikat
fizike të dy grabitësve.
Sipas burimeve zyrtare
të Policisë së Lushnjës, autorët
e dyshuar mund të jenë persona
që i njihnin mirë të moshuarit,
përderisa ata njihnin me saktësi
çdo hyrje të shtëpisë. Çifti i të
moshuarve jetonte në një banesë
të vjetër dykatëshe. Bëhet e ditur
se janë shoqëruar për t‘u pyetur
në mjediset e komisariatit të policisë
më shumë se 15 të rinj të
lagjes ku ndodhi grabitja, si dhe
persona të tjerë që njihen si elementë
kriminalë nga policia.
Numri i vjedhjeve gjatë vitit 2008
në Rrethin e Lushnjës ka qenë
shumë i madh dhe kjo është
kthyer në një shqetësim për policinë
dhe komunitetin. Pothuaj
90 për qind e rasteve të vjedhjeve
të ndodhura kanë mbetur pa autorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›