Berisha-Hammad: Linjë ajrore direkte me Kuvajtin
Kryeministri Sali Berisha takon ministrin e Drejtësisë së Kuvajtit
Kryeministri Sali Berisha e siguroi dje zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë së Kuvajtit, z. Rashid Al-Hammad, për mbështetjen e qeverisë shqiptare për investimet kuvajtiane. Z. Berisha priti dje z. Al-Hammad, i cili shoqërohej nga përfaqësues të lartë të drejtësisë kuvajtiane, si dhe nga kreu i Shoqatës së Miqësisë Kuvajt-Shqipëri. Kryeministri nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite që tregon nivelin e marrëdhënieve dypalëshe. Zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë së Kuvajtit, z. Rashid Al-Hammad, shprehu interes për bashkëpunim të biznesit të të dyja vendeve. Vendosja e një linje ajrore direkte, - u shpreh ai, - do të ndikonte pozitivisht në këtë drejtim. Z. Rashid Al-Hammad konfirmoi më tej nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve, e cila do të forcohet më tej nga hapja së afërmi e ambasadave respektive në të dyja vendet. Kryeministri Berisha e falënderoi z. Rashid Al-Hammad për ndihmën bujare që Kuvajti i ka dhënë Shqipërisë që pas rënies së komunizmit, si dhe vlerësoi kontributin e Fondit Kuvajtian në financimin dhe realizimin e dhjetëra projekteve me rëndësi, ku spikat ai i fundit për rrugën e njohur si Boshti i Jugut, një projekt që do të ketë ndikim të madh në ekonomi dhe turizëm. Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e hapjes së ambasadave përkatëse në të dyja vendet, si një hap që do të ndikojë jo vetëm në rritjen e marrëdhënieve ndërshtetërore, por edhe atyre ekonomike. Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e investitorëve kuvajtianë në ekonominë shqiptare dhe bëri një ekspoze të potencialit për investim të kompanive kuvajtiane, kryesisht në sektorin e energjisë dhe atë të turizmit.