E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Legjislacioni ynë, garanci për investimet e huaja

Ministri takon homologun kuvajtian

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, siguroi dje zv.kryeministrin, njëkohësisht edhe ministër Drejtësie i shtetit të Kuvajtit, z. Rashid Abdulmohsen Al-Hammad, se legjislacioni shqiptar është një garanci e plotë për investimet e huaja. Ministri kuvajtian shoqërohej nga kryetari i Gjykatës së Apelit, deputetë të Parlamentit, gjyqtar dhe juristë. Pas urimeve të mirëseardhjes dhe përshëndetjeve miqësore nga të dyja palët, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, bëri një panoramë të punës që ai ka bërë në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë. Mes shumë ligjeve të rëndësishme, ministri Nishani veçoi ligjin Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale, i cili është miratuar pak muaj më parë nga Parlamenti Shqiptar. Me anë të këtij ligji rregullohet dhe nxitet më tej bashkëpunimi juridiskional me vendet e ndryshme të botës, lehtësohet bashkëpunimi mes gjykatave të Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera, lehtësohet shkëmbimi i dokumenteve gjyqësore si dhe realizohet më shpejt përcjellja e letër-porosive, tha ministri në fjalën e tij, ndërkohë që i paraqiti zv.kryeministrit kuvajtian të gjithë gatishmërinë e tij për të thelluar më tej bashkëpunimin në këtë fushë mes ekspertëve të nivelit teknik. Më pas, ministri e njoftoi zv.kryeministrin mbi hapat që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë në fushën e përmirësimit të legjislacionit për investimet e huaja në vend. Kemi bërë disa amendime për ligjin për investimet e huaja, për ti dhënë lehtësi biznesit që ai të ketë më shumë garanci kur të investojë në vendin tonë. Qëllimi i vetëm është ti nxisim bizneset të investojnë kapitalet e tyre në Shqipëri, sepse këtu do të gjejë një ambient miqësor, një legjislacion dhe rend të qartë dhe të konsoliduar, u shpreh Nishani. Zv.kryeministri njëkohësisht edhe ministër i Drejtësisë së Shtetit të Kuvajtit, shkëlqesia e tij, z. Rashid Abdulmohsen Al-Hammad, pasi shprehu admirimin e tij për bukuritë e Shqipërisë, i deklaroi ministrit gatishmërinë e tij për rritjen e bashkëpunimit në fushën e gjyqësorit nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta, si dhe shprehu dëshirën për të nxitur më tej investimet kuvajtiane në një vend me legjislacion të konsoliduar dhe rend të sigurt si Shqipëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›