Topi: Vendimi i Hagës ishte profesional, analitik dhe logjik
Presidenti Bamir Topi uroi menjëherë homologun e tij kosovar, Fatmir Sejdiu, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, duke e quajtur vendimin e gjyqtarit profesional, analitik dhe logjik mbi atë çfarë ndodhi më 18 shkurt të 2008-s. “Telefonatën e parë ia bëra Presidentit Sejdiu, nëpërmjet të cilit unë transmetova për popullin e Kosovës urimet më të mira për këtë vendim, i cili tregon përveç të tjerave që institucionet e Kosovës, populli i Kosovës, kanë qenë koherent në të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar në Kosovë, koherent në të gjithë vendimmarrjen ndërkombëtare”, theksoi Presidenti Bamir Topi. Sipas Presidentit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi se me shpalljeve e pavarësisë të Kosovës, si shtet i lirë dhe sovran, nuk ka asnjë devijim nga e drejta ndërkombëtare. “Në asnjë element të kësaj deklarate të pavarësisë nuk u pa të ketë devijim nga e drejta ndërkombëtare për ta shpallur Kosovën shtet të lirë, sovran dhe të pavarur”, deklaroi Topi pak minuta pas shpalljes së vendimit të GJND-së. Sipas tij, vendimi i GJND-së duhet t’i drejtohet si një apel qytetarë të të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për t’i lënë mënjanë paragjykimet dhe për të pranuar tashmë këtë realitet të ri.
#