E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji pushton edhe Lezhën, mbyllen katër shkolla në qytet

Situata Rreth 450 hektarë dhe 30 shtëpi janë mbuluar nga uji në rrethet Lezhë e Kurbin

Përmbytjet kanë përfshirë dje në orët e para të mëngjesit edhe rrethet e Lezhës dhe Kurbinit. Sipas autoriteteve, këto përmbytje nuk kanë lidhje me shkarkimet e ujit nga hidrocentralet, por janë shkaktuar nga sasia e madhe e shiut të rënë këto ditë.

Katër shkolla janë mbyllur në qytetin e Lezhës, pasi uji ka mbuluar oborret e tyre. Dy shkolla të mesme, njëra gjimnaz dhe tjetra profesionale dhe dy shkolla nëntëvjeçare nuk kanë zhvilluar mësim, pasi niveli i ujit në oborre ka qenë rreth një metër. Sipas burimeve zyrtare, në Lezhë janë mbuluar nga uji mbi 300 hektarë tokë. Uji ka hyrë edhe në 15 shtëpi banimi në qendër të fshatit Manati, ku përmbytja ka ardhur për shkak të daljes nga shtrati të përroit Hutës. Ndërkohë, materialet inerte kanë bllokuar edhe aksin rrugës Milot–Lezhë. Burimet nga fshati Manati tregojnë se dalja e ujit nga përroi ka qenë e menjëhershme në orën 05:00 të mëngjesit, por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz. Situata është problematike edhe në qytetin e Lezhës, në lagjen “Besëlidhja” ku uji është i pranishëm pothuajse në të gjithë territorin për shkak të bllokimit të kanaleve dhe pusetave që tërheqin ujin.

Në Rrethin e Kurbinit, uji ka mbuluar rreth 150 hektarë tokë dhe ka hyrë në 15 shtëpi banimi. Përmbytjet kanë ndodhur në fshatin Gjormë, që i përket Bashkisë së Mamurrasit. Sipas kryebashkiakut Dedë Ndreca, sipërfaqja e përmbytur është 150 hektarë dhe është shkaktuar nga moshapja e kanaleve kulluese nga ana e Bordit të Kullimit. “Nëse Bordi i Kullimit do të punonte vetëm dy ditë për hapjen e kanalit në afërsi të këtij fshati, nuk do kishte përmbytje në asnjë pëllëmbë toke apo shtëpi banimi”, tha Ndreca. Ndërsa Saba Reçi, një nga banorët e këtij fshati, thotë se uji në ara ka arritur deri në dy metra, ndërsa 15 shtëpi janë përmbytur në katet e para. “Askush nuk vjen për të dhënë ndihmën. Ne e punojmë tokën dhe e mbjellim vetëm sa për të kalbur farërat që hedhim në fushë kot. Paguajmë taksat e askush nuk përgjigjet për ne”, thotë Reçi, sipas të cilit përmbytja po ndodh nga mosndërhyrja e shtetit. Ndërkohë, vështirësi ka në qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor Mamurras–Laç, pasi në afërsi të Sanxhakut uji ka dalë në rrugë.
Prefekti i Lezhës, Pal Dajçi, tha dje se në prefekturë është ngritur Shtabi i Emergjencës që po monitoron situatën. “Fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz. Ne po punojmë për normalizimin e situatës në Manati, në lagjen Besëlidhja të Lezhës, në Gjormë të Kurbinit dhe kudo ku ka përmbytje në shkallë qarku”, tha Dajçi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›