E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: I gatshëm për reformën zgjedhore, Rama nuk do

18/10/2011  Mblidhet grupi parlamentar i PD-së, Kryeministri premtime për rritje pensionesh

Kryeministri Berisha fajësoi opozitën shqiptare për përgjigjen negative të KE-së lidhur me statusin për vendin kandidat në BE. Në përgjigje të kërkesës së vazhdueshme të ndërkombëtarëve për realizimin e reformave, kreu i qeverisë shqiptare u tregua i gatshëm të japë konsensusin për reformën zgjedhore dhe Rregulloren e Kuvendit. “Ajo çka unë mund t’ju them edhe një herë është se ne jemi të gatshëm të ulemi me opozitën dhe të trajtojmë në mënyrën më serioze problemet e reformave, në radhë të parë të reformës zgjedhore. Ne i qëndrojmë plotësisht propozimit tonë të mëparshëm se, në rast se opozita kërkon dhe dëshiron që me ekspertët e saj të hartojë të gjitha amendamentet për të adresuar rekomandimet e OSBE–ODIHR-it dhe t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecies dhe në OSBE–ODIHR pasi të marrë opinionin e tyre, ne i votojmë pa kushte”, - përsëriti Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së. Duke komentuar qëndrimin e kundërshtarit të tij politik Edi Rama, shefi i ekzekutivit deklaroi se, pavarësisht gatishmërie së opozitës për reforma, liderit të saj nuk i interesojnë ato. “Por zoti Rama nuk do. Deri tani ai është i vendosur të mos angazhohet në reformë, sepse ai propozon një skemë primitive në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pse e them këtë? E them sepse propozon që të ulemi në tryezë, të vendosim të punojmë me konsensus, por ai të shkojë të bëjë shopin në institucionet e tjera, pavarësisht se këtu janë përfaqësuesit e tyre. Kjo nuk shkon”, - vijoi kreu qeverisë. Berisha ia faturoi Ramës bllokimin e statusit. “Fakti që të gjitha vendet e morën përveç Shqipërisë, sepse ata janë fatlumë që nuk kanë një opozitë, që ka përzgjedhur bllokimin e disa reformave të integrimit si rrugën për kthimin e vet në pushtet”, - tha ai. Në vijim të fjalës së tij numri një i qeverisë foli edhe për buxhetin e vitit 2012, i cili, sipas tij, do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit. “Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë shkurtime buxhetore të shpenzimeve të tjera përveç investimeve në infrastrukturë. Në këtë buxhet do të jetë përparësore rritja e rrogave dhe e pensioneve”, - deklaroi Berisha. Ai premtoi ndërhyrje selektive për familjet në varfëri ekstreme menjëherë sapo të pastrohet tërësisht regjistri dixhital i ndihmës ekonomike. Në pjesën e fjalës për rrugët kryeministri tha se në 100-vjetorin e saj Shqipëria do të ketë infrastrukturën rrugore tërësisht të re.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›