E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demontimi i predhave si në Mesjetë, Pinari ngriti “Gërdecin”

18/10/2011  Lexohen 136 faqet e para të pretencës 500-faqëshe, roli i Ylli Pinarit me Henrin dhe Delijorgjin

TIRANE-Katër prokurorët e dosjes “Gërdeci” kanë lexuar 136 faqet e para të pretencës së tyre prej më shumë se 500 faqe, të përpiluar kundër 29 të pandehurve të tragjedisë së 15 marsit të ndodhur në fshatin Gërdec. Përgjatë gjithë ditës së djeshme, prokurorët kanë lexuar fjalë për fjalë akt-akuzën, por për shkak se nuk ka mjaftuar koha zyrtare për përfundimin e leximit të pretencës, seanca gjyqësore është shtyrë për ditën e djeshme, ku do fillojë leximi aty ku u la dje. Në argumentet që Prokuroria solli në 136 faqet e lexuara, qëndronte fakti se punishtja e Gërdecit ka shpërthyer si pasojë shmangies së qëllimshme e kushteve teknike nga ana e të pandehurve Ylli Pinari, Dritan Minxolli, Sokol Ngjeci dhe Mihal Delijogji. Ky i fundit para fillimit të leximit të pretencës voluminoze, nëpërmjet avokatit të tij Maksim Haxhia i kërkoi gjykatës që të shmangte kompaninë “Albademil” nga gjykimi, kërkesë kjo që u rrëzua menjëherë nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado. Më tej Prokuroria ka vënë në dukje, se në uzinë punohej me mjete primitive, dhe jashtë çdo norme sigurie, pasi punonjësit në tavolina jo perfekte dhe me mjete rrethanore si, sqeparë, kaçavida, leva dhe gozhdë, kryenin demontimin e predhave të kalibrit të madh. Ky fakt i kalon akoma dhe më tepër caqet, për shkak se në këtë proces tepër të rrezikshëm për jetën, ishin të punësuar fëmijë dhe gra, të cilat nuk kishin informacion, por dhe të informoheshin nga punëdhënësit mbi rrezikun që shfaqej. Në pretencë, Prokuroria etiketon ish-drejtorin e MEICO-s Ylli Pinarin si njeriun kryesor që ka ndikuar në krijimin e procedurave ligjore dhe ngritjen më pas punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec. Prokuroria thotë se Pinari ka mbajtur kontakte me shtetasin amerikan Patrik Henri, të cilin më pas e ka prezantuar me Mihal Delijorgjin, i cili ka krijuar kompaninë “Albademil” me qëllim për të hyrë si kontraktor i kompanisë amerikane “SAC” në Gërdec. Akuza pritet të vijojë sot në orën 09:00 me leximin e pretencës, ku me sa duket përfundimi i 500 faqeve do të zgjasë disa ditë.

Burgime të përjetshme

Prokuroria, ndërsa lexoi akuzat me të cilat janë sjellë në gjykatë të pandehurit, deklaroi se Ylli Pinari, drejtor i MEICO-s, Mihal Delijorgji, pronar i kompanisë “Albademil”, Dritan Minxholli dhe Sokol Ngjeci, drejtues të fabrikës së demontimit, akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese, në bashkëpunim në dëm të 26 personave. Në rast se ekzistojnë provat e nevojshme kjo akuzë parashikon dënimin kapital nga 25 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Në rastin konkret sipas burimeve pranë Prokurorisë, aplikohet vetëm kërkesa me dënim të përjetshëm për shkak se si pasojë e veprimeve të rënda, janë vrarë 26 persona të pafajshëm. Ndërkohë që akuza të rëndë janë ngritur dhe ndaj ish-gjeneralëve të ushtrisë shqiptare dhe ish-shefit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Luan Hoxha. Ushtarakët akuzohen për shpërdorim detyre sipas Kodit Ushtarak dhe se rrezikojnë dënime deri në 10 vite burg.

Babëzia për para

Të pandehurit Ylli Pinari, Sokol Ngjeçi, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe personi juridik i pandehur, shoqëria ALBADEMIL nisur nga synimi për të siguruar përfitimeve të kundërligjshme, duke shfrytëzuar një kuadër ligjor dhe nënligjor problematik dhe favorizues, në mungesë të kontrollit dhe mbikëqyrjes së procesit nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të institucioneve të tjera shtetërore, me dashje kanë organizuar dhe realizuar procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve, duke shpërfillur çdo rregull e standard sigurie, natyrën e burimit të rrezikut veçanërisht të shtuar, që përbënte zhvillimi i këtij procesi si dhe me arrogancë, paralajmërimet për rrezikun real të pranishëm që përbënte realizimi i këtij procesi në mungesë totale të 97 kushteve të sigurisë, proces i cili shkaktoi pasoja për jetën dhe shëndetin e shtetasve dhe pasurinë private e publike.

Mediu shpëtoi nga gjykimi

Ish-ministri i Mbrojtjes në vitin 2008, duket se u vu me “shpatulla pas murit” për shkak se Prokuroria sekuestroi si provë urdhrin nr.550 të firmosur nga Fatmir Mediu, i cili autorizonte MEICO-n të niste procedurat për çmilitarizimin e sasi të konsiderueshme municioni. Për shkak të kësaj, por edhe të disa veprimeve të tjera, Prokuroria vendosi të marrë të pandehur ministrin Mediu, duke akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” sipas Kodit Penal dhe atij ushtarak. Dosja në ngarkim të ministrit mbërriti në dyert e Gjykatës së Lartë, por për shkak se Mediu në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 fitoi sërish mandatin e deputetit, Kolegji Penal i kësaj gjykate vendosi t’i pushojë akuzat e ngritura nga organi procedues. Nisur në këto kushte, çështja në ngarkim të ministrit u pushua, dhe nga 30 të pandehur, u gjykuan vetëm 29 prej tyre. Pavarësisht nga përpjekjet e familjarëve të viktimave për të rihapur çështjen, prokuroria s’ka tentuar në asnjë rast ta bëjë një gjë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›