E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: I pamundur koalicioni PD-PS



Kryeministri Sali Berisha përjashtoi çdo mundësi për një bashkëpunim paszgjedhor me Partinë Socialiste. I ftuar dje në emisionin “Opinion”, kreu i mazhorancës tha se nuk do të ketë një koalicion bashkëqeverisës me PS-së pas zgjedhjeve. Një koalicion të mundshëm me partinë e drejtuar nga Edi Rama, Berisha e cilësoi si të pamundur, madje e cilësoi si “njësoj si të kërkosh eskimezë në shkretëtirë”. Ai tha më tej se shqiptarët do të përcaktojnë në zgjedhjet e 28 qershorit se kush do t’i qeverisë.

Lideri i mazhorancës foli më tej dhe për fushatën elektorale brenda partisë si dhe në takimet me elektoratin që ka nisur. I pyetur nëse ka ndonjë që nuk preferon fitoren e PD-së në zgjedhje brenda kësaj force politike, Berisha tha jo. “Ajo që di unë është se çdokush ka një përkushtim për fitore”, ndërsa shtoi se takimet e fundit me elektoratin janë një dialog me ta dhe do të bëhen në të gjithë vendin.

Sipas Berishës, hapja e PD-së do të jetë një gërshetim. “Hapja është parimi im themelor”, - tha ai. “Gara brenda partisë është e hapur, - tha ai, - dhe se askush nuk do të përjashtohet nga gara elektorale. Është një garë e hapur dhe statuti përcakton se Kryesia përcakton dhe përzgjedh. Por të jenë të sigurt që do të zgjedhë anëtarësia. Ka disa kandidatë të shkëlqyer si Aldo Bumçi dhe të tjerë. Të jeni të sigurt që nuk përjashtohet nga gara Besnik Mustafaj”, - tha Berisha.

Kreu i mazhorancës tha më tej se në koalicionin e djathtë do të vlerësohen kontributet si dhe bashkëpunimi do të shtrihet në të gjitha nivelet. Sipas tij, në listën e PD-së, nuk do të jetë askush nga partitë e vogla. “Në listat tona nuk fusim”, 0 tha në mënyrë taksative Berisha.

Në bisedën e djeshme me gazetarët, Berisha foli edhe për krahun tjetër të politikës. Ai tha se Rama nuk pranon të japë dorëheqjen si kryetar bashkie, duke thënë se i mbetej të garonte vetëm në këto zgjedhje. “Ai s’do të iki nga kryetar bashkie. Por me kë të bëj garën unë? Unë e dua një rival”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë shprehu shqetësimin më tej në lidhje me sjelljen e kreut të opozitës me median. “Ajo që më bën mua përshtypje është se si media po përjeton një periudhë narkoze për zgjedhjet. Për herë të parë po ndodh një asimetri”, - deklaroi Kryeministri.

Sipas tij, Rama ka luajtur edhe një rol negativ në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. “Ka bërë 53 deklarata por të gjitha vetëm dekurajuese. Asnjëherë nuk bëri një deklaratë që të inkurajonte qytetarët”, - tha ai. Berisha foli më tej edhe për luftën kundër korrupsionit apo rritjen e pagave dhe pensioneve. I pyetur nga gazetarët në lidhje me propozimin e FMN-së për shtyrjen e rritjes së pagave dhe pensioneve, Berisha tha se do t’i qëndrojë programit. Kreu i qeverisë tha se pagat dhe pensionet do të rriten në muajin maj. Berisha tha më tej se kriza ekonomike që ka prekur botën, po përballohet mirë nga ana e Shqipërisë. Ai shtoi se qeveritë e prekura nga kriza, po bëjnë të njëjtin program që ka ndërmarrë prej vitesh qeveria shqiptare, si ulja e taksave dhe rritja e shpenzimeve e investimeve publike. Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, Berisha tha se nga reformat e qeverisë u kursyen më shumë se 2.4 miliardë dollarë.

Lideri i mazhorancës së djathtë foli më tej edhe për marrëdhënien me Presidentin Bamir Topi. Ai tha se marrëdhëniet janë institucionale. I pyetur në rast se ka pasur një krisje marrëdhëniesh në Samitin e NATO-s, Berisha tha se kjo nuk është e vërtetë. Gjithsesi, ai shtoi se në një republikë parlamentare si jona, do të vijë një ditë kur do të ketë një përfaqësues të shtetit. “Unë nuk merrem me protokollin e shtetit, por mund të më pyesni vetëm për protokollin kryeministror. Për çfarë arsyeje Presidenti gjerman Klaus nuk foli, por ia dha fjalën Kryeministrit? Në republikat parlamentare udhëheq ekzekutivi. Kjo është një republikë parlamentare”, - tha Berisha. Sipas tij: “Derisa të konsolidohen vlerat e demokracisë parlamentare, do të duhet të kemi durim, ndaj dhe unë nuk e humbas durimin”.

Njëkohësisht, ai tha më tej se nuk pajtohet me qëndrimin që ka mbajtur Prokuroria e Përgjithshme. Berisha tha se kryeprokurorja e ka lejuar veten të përdoret dhe se sipas tij, ka dashur të gjykojë një vendim kolektiv në rastin e rrugës Durrës-Kukës. Biseda e djeshme ka pasur edhe çështjen e NATO-s në diskutim, ku kreu i mazhorancës tha se merita është e të gjithëve, por reformat e kësaj qeverie si dhe mbështetja e SHBA-ve bënë të mundur anëtarësimin. Ai tha se kjo është dita më e madhe për kombin që nga shpallja e pavarësisë. Diskutimi dje u ndal edhe në çështje historike, ku Berisha tha se Lufta Nacionalçlirimtare ishte një faqe e ndritur, por ajo u përdor. “Lufta Nacionalçlirimtare ka qenë një faqe e ndritur, por me dritëhije të rënda. Në Konferencën e Paqes u vu në pikëpyetje, pasi filloi batërdia, sepse filluan vrasjet, sepse ne po shndërroheshim në fitimtarë të humbur”, - tha Berisha. Më tej ai tha se do të vizitojë Kosovën në momentin kur të përfundojë “Muri i Berlinit”, që është tuneli i Kalimashit. Berisha njëkohësisht ftoi Edi Ramën të marrë pjesë në përurimin e rrugës Durrës-Kukës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›