E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit, komision hetimor parlamentar për Ramën



Mungesa e planit urbanistik të kryeqytetit, i premtuar që në vitin 2000, ka revoltuar mazhorancën e djathtë, e cila ka hedhur dyshime në lidhje me dhënien e lejeve të ndërtimit. Në vitin 2003, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u hetua nga një komision hetimor parlamentar i kryesuar nga Sokol Olldashi për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.

Kësaj here është deputeti i PD-së, Edi Paloka, i cili kërkoi dje në Kuvend ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e kryetarit të bashkisë, Edi Rama. Paloka tha se kryeqyteti shqiptar ende nuk ka një plan rregullues dhe shtoi se qëllimi i këtij komisioni do të jetë zbulimi i enigmës së planit të munguar prej 10 vitesh. Sipas Palokës, përfundimet e këtij hetimi parlamentar të shkojnë në drejtësi, në mënyrë që Rama të përballet si çdo qytetar i thjeshtë me drejtësinë. “Kërkoj komision hetimor për Ramën si kryetar bashkie, pasi ka dhjetë vjet që mban peng planin urbanistik të Tiranës. Nismën time do ta paraqes në grup dhe Rama të përballet me drejtësinë, nëse kjo e fundit do t’i shkojë deri në fund çështjes”, - deklaroi Paloka. Nisma e deputetit të djathtë nuk u komentua nga opozitarët socialistë në Kuvend. Tashmë pritet të zyrtarizohet kjo nismë. Mjaftojnë 35 firma deputetësh për të ngritur komisionin, i cili, nisur nga propozimi i Palokës, duhet të drejtohet nga një deputet i mazhorancës.

Më herët, në sallën e Kuvendit u zhvillua një debat i ashpër për lidhjet e Delijorgjit me politikën. Deputeti i së majtës, Taulant Balla, tha se një person i afërt i Kryeministrit ka pasur lidhje me Delijorgjin dhe i kërkoi kryetares së Kuvendit të reagojë. “Ti ke kërkuar në këtë Parlament zbardhjen e lidhjeve të Delijorgjit me personat e tjerë. Dje shtypi dhe prokuroria ta kanë lehtësuar punën dhe kanë thënë qe këshilltari kryesor i Berishës është njeriu drejtpërdrejt i lidhur me Delijorgjin”, - tha Balla. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi menjëherë, duke thënë se Rama ende nuk ka dhënë përgjigjet e tij në lidhje me 30 lejet e ndërtimit që i ka dhënë Delijorgjit. Ajo më tej tha se ka të regjistruar 200 orë biseda telefonike të zhvilluara me Delijorgjin. “Meqë m’u drejtove mua, shko thuaji kryetarit se kam të regjistruar mbi 200 telefonata mes tij e Delijorgjit. Pse i ka dhënë leje ndërtimi Delijorgjit dhe përse nuk ia heq këto leje ndërtimi? Me kë ishte në Kretë Delijorgji dhe kujt ia pagoi qëndrimin? Le të bëhet burrë e të flasë vetë e të mos nxjerrë zëdhënësit e tij”, - deklaroi Topalli. Njëkohësisht edhe shumë deputetë të tjerë të mazhorancës reaguan. Ferdinand Xhaferri shtoi se akuzat e opozitës janë një tentativë politike e dështuar, ndërsa Paloka shtoi se Rama do të hetohet edhe për “Delijorgjët” e tjerë, që sipas tij, ndajnë paratë me Ramën.

Bumçi: Rama, leje ndërtimi me konflikt interesi

Zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi dje se kryetari i Bashkisë së Tiranës dha lejet e fundit të ndërtimit me konflikt të hapur interesi. Sipas Bumçit, në mbledhjen e fundit të KRRT-së, ku u miratuan dhjetëra leje ndërtimi, tre nga anëtarët e saj, ishin të përfshirë në konflikt interesi. Bumçi tha se anëtarët në fjalë kishin familjarë apo studiot e tyre që kishin bërë projektet. “Tre anëtarët e KKRT-së kishin konflikt interesi. Ky është shembulli më i qartë i korrupsionit dhe klientelizmit”, - tha Bumçi. Ai kërkoi anulimin e këtyre lejeve. Njëkohësisht, në emrin e Partisë Demokratike, Bumçi kërkoi nga Rama që deri në miratimin e plotë të planit rregullues të qytetit, të mos japë më asnjë leje ndërtimi. Ai kërkoi edhe dorëzimin e këtij plani, që sipas tij, ka gati 4 muaj që është gati, por mbahet në sirtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›