Debate për kartat, opozita këmbëngul ende
Çështja e kartave të identitetit qëndron ende në majën e të bërit politikë nga ana e saj. Pjesa më e madhe e deputetëve të majtë shpenzuan kohën në Kuvend për të folur për kartat e identitetit. “Një numër shumë i madh votuesish parashikohen e 300-400 mijë prej tyre mund të mos votojnë, sepse nuk kanë para për të paguar taksën e votës. Pra, qeveria e vjetër e Sali Berishës të marrë një vendim të drejtë dhe të mirë, të votojmë propozimin e PS-së për karta falas për të gjithë qytetarët shqiptarë që nuk kanë pasaportë deri ditën e votimit”, - tha deputeti socialist, Blendi Klosi. “Duhet që kartat e identitetit të shpërndahen falas për të shpëtuar zgjedhjet, për të shpëtuar edhe vetë qeverinë që po luan me këto zgjedhje në mënyrë krejt transparente dhe mbi të gjitha, për të siguruar atë barazi që Kushtetuta ua siguron të gjithë qytetarëve për t’u paraqitur në zgjedhje”, - shtoi nga ana tjetër deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi.
Deputetët e mazhoranës si dhe zëvendëskryeministri, reaguan duke thënë se këto ankesa nuk janë reale si dhe kërkuan bashkëpunimin e opozitës që të nxisin qytetarët të shkojnë të aplikojnë. “Sikur Shqipëria e nesërme të ishte si Bashkia e sotme e Tiranës, në këtë çështje ku askush prej banorëve të kryeqytetit nuk do të mund të merrte certifikatën pa paguar supertaksën e Edi Ramës, do të përjashtohej nga të gjitha shërbimet e tjera. Dhënia e dokumenteve të identitetit, qoftë ky letërnjoftim apo certifikatë, siç duhet, për shërbime të tjera, nuk mund të kushtëzohet nga supertaksat që vendos një kryetar bashkie i papërgjegjshëm në këtë pikë”, - tha Genc Pollo.