Këshilltarët e PD-së: Rama po pengon aplikimin për karta me taksa
Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin e Bashkisë së Tiranës reagoi dje, duke deklaruar se kryetari i bashkisë, Edi Rama, ka rritur taksat me 4-fish për të penguar aplikimin e qytetarëve për karta identiteti. Në një deklaratë për shtyp, Ferdinand Poni tha se taksat janë katërfishuar. “Kryetari i PS-së po pengon pajisjen e shtetasve me letërnjoftim, mbasi nga një anë, me lot krokodili qahet për letërnjoftime falas, nga ana tjetër, i ka urdhëruar zyrat e gjendjes civile që të mos lëshojnë certifikata që duhen për shtetasit pa pasaportë, në rast se nuk kanë paguar taksat e tij të pastrimit e të gjelbërimit, të cilat janë disa herë-fishuar; janë katërfishuar këtë vit dhe janë 10-20 herë më të larta sesa vetë çmimi për letërnjoftimin”, - tha Poni. Ai tha më tej se Rama po favorizon militantët për mospagimin e taksave. “Edi Rama po seleksionon nga pikëpamja partiake personat që paguajnë taksat. Kështu, ndërsa nga kjo pagesë nuk përjashtohen as edhe invalidët, militantët dhe falangat e tij e kryejnë atë pa pagesën e këtyre taksave të vendosura e të rritura artificialisht. Ne i kërkojmë z. Rama të heqë dorë në mënyrë të menjëhershme nga praktika totalisht antiligjore e lidhjes së certifikatave dhe dhënies së tyre kushtëzuar nga pagimi i taksave lokale”, - deklaroi Poni, duke kërkuar në emër të këshilltarëve të djathtë që bashkia të heqë të gjitha taksat e tarifat e tjera, përveç taksës së biznesit të vogël.