E Diel, 1 Nëntor 2026

ZRPP: PS-ja shpif, reagoi pas prekjes së interesave të paligjshme



Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme reagoi dje pas deklaratave në Kuvend të deputetit të PD-së, Marko Bello. Në një deklaratë për shtyp, kjo zyrë tha se PS-ja gënjen, si dhe, sipas zyrës, deklaratat erdhën pas prekjes së interesave të paligjshme të disa individëve në PS. “Këto deklarata vijnë për shkak të prekjes së interesave të paligjshme të njerëzve afër Partisë Socialiste, të cilët kanë trajtuar pronat e qytetarëve shqiptarë në shkelje të plotë të ligjit. Përpjekja e Partisë Socialiste për të mjegulluar procesin e reformimit të ZRPP-së ka motive personale dhe politike të drejtuesve të saj. ZRPP-ja i bën thirrje z. Marko Bello të mos shërbejë kundër interesave të qytetarëve shqiptarë, për t’i dekurajuar ata nga pjesëmarrja në procesin e modernizimit të ZRPP-së, thjesht se dikush pranë PS-së ka humbur posedimin e paligjshëm të një prone”, - thuhet në reagimin e ZRPP-së. Sipas kësaj deklarate, ZRPP-ja është shprehur edhe më parë se regjistri unik i pasurive të paluajtshme është i domosdoshëm për të kthjelluar situatën kaotike që qeveria socialiste krijoi me regjistrin e pronave. Kjo bëhet vetëm me anë të fshirjes së regjistrimeve të paligjshme që krijojnë mbivendosje. ZRPP-ja është e vendosur ta çojë deri në fund këtë proces, pavarësisht interesave që pleksen gjatë këtij procesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›