Zbulohet punishtja e pijeve, sekuestro për 500 mijë euro mall
Dy persona janë arrestuar, ndërsa pesë të tjerë do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për prodhim të kundërligjshëm të pijeve të ndryshme dhe materialeve ushqimore. Goditja e tyre është bërë në Tiranë gjatë operacionit “Coctail”, i realizuar nga antikrimi ekonomik, gjatë të cilit janë sekuestruar edhe një sërë mallrash. Sipas të dhënave policore, në pranga kanë përfunduar Vasil Zhupa, 46 vjeç, dhe Rajmonda Neziri, 41 vjeçe, të dy banues në Tiranë. Nga burimet e grupit hetimor mësohet se ata u kapën gjatë momenteve të prodhimit dhe të tregtimit të produkteve të falsifikuara, në një magazinë të ndodhur në Shkozë. Specialistët e seksionit të antikrimit ekonomik, pas një hetimi 9-mujor kanë bërë dokumentimin e veprimtarisë së kundërligjshme të aktivitetit të tyre. Ky aktivitet kishte të instaluar një linjë prodhimi, stampimi dhe tregtimi të artikujve industrialë të paligjshëm, të cilat ishin të palicencuar, duke vendosur etiketa të pamiratuara nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Dyshohet se këta persona, aktivitetin e tyre e ushtronin në mënyrë të palicencuar dhe të paregjistruar në organet tatimore, duke iu shmangur edhe detyrimeve tatimore. Policia tha se këto prodhime industriale, të cilat tregtoheshin në Tiranë, duke qenë të palicencuara ishin edhe të pakontrolluara, duke vendosur në rrezik shëndetin dhe jetën e konsumatorëve. Njëkohësisht, ky subjekt privat i palicencuar, këto prodhime i tregtonte nën çmimin e kostos së prodhimit, me synim shmangien e konkurrencës së subjekteve të tjera private, të cilat ishin të licencuara. Nga hetimet e kryera rezultoi se këta persona, për ushtrimin e këtij aktiviteti, kishin të punësuar edhe shtatë persona, të cilët ishin pa kontrata pune dhe të padeklaruar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 250 arka me lëngje të ndryshme dhe 10 makineri të cilat shërbenin për prodhimin, ambalazhimin, etiketimin e lëngjeve të frutave. Gjithashtu, policia ka sekuestruar rreth 20 mijë shishe të ndryshme, që shërbenin për mbushjen dhe tregtimin e tyre dhe 100 mijë etika dhe stampa të ndryshme. U konkludua se vlera e të gjithë mallrave të sekuestruara arrijnë në 500 mijë euro. Aktualisht, nga këto struktura, po punohet intensivisht për sekuestrimin e të gjithë mallrave, të cilat janë shpërndarë dhe tregtuar nga ky subjekt, në dyqane të ndryshme në Tiranë. Po ashtu, strukturat e policisë po vazhdojnë më tej këtë operacion, deri në eliminimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, e cila rrezikon në shëndetin dhe jetën e konsumatorëve dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave që ushtrojnë këtë veprimtari.
#