Kasoulides: Berisha dhe Rama po kërkojnë një zgjidhje
Krerët e politikës shqiptare kanë dy ose tri javë kohë për të arritur një marrëveshje për të kapërcyer ngërçin politik. Ky ka qenë përfundimi i një takimi të ndërmjetësuar nga dy grupet kryesore parlamentare europiane në mbrëmjen e së enjtes në Strasburg, sipas nënkryetarit të grupit parlamentar kristiandemokrat në Parlamentin Europian, Ioannis Kasoulides, i cili foli për BBC-në pas takimit. Gjatë darkës, në praninë e përfaqësuesve më të lartë të së majtës dhe së djathtës europiane dhe të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, udhëheqësit shqiptarë kanë biseduar për mundësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët për kapërcimin e krizës politike, që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar.
Zoti Kasoulides, do të donim të dinim fillimisht se çfarë doli nga takimi i mbajtur në Strasburg?
Fillimisht dua të them se kjo ishte një nismë e dy grupeve më të mëdha në Parlamentin Europian, Partia Popullore Europiane dhe grupeve socialiste e demokrate dhe dy kryetarët e grupeve, presidenti (Joseph) Daul dhe presidenti (Martin) Schulz kishin ftuar Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe udhëheqësin e opozitës, Edi Rama, për të ardhur në Strasburg, në një vend simbolik, kryeqyteti i Europës dhe qyteti i pajtimit në Europë, për të diskutuar lidhur me mënyrat për të dalë nga gjendja e tanishme e ngërçit politik dhe nga kriza politike me të cilën përballet Shqipëria.
Janë diskutuar të gjitha çështjet që lidhen me këtë gjendje. Pas një shqyrtimi të plotë mund të them se është bërë përparim, gjë që na bën ne të jemi optimistë, se kur udhëheqësit të takohen përsëri, siç u vendos, brenda dy ose tri javësh, ne shpresojmë se do të kemi një marrëveshje.
A mund të dimë se çfarë është vënë mbi tryezë për diskutim midis palëve zoti Kasoulides?
Unë nuk dua të hyj në këto lloj hollësish. Ju e dini më mirë se cilat janë çështjet që ngrihen në Shqipëri për momentin, prandaj mbi tryezë janë ide se si t’i zgjidhim të gjitha ato në mënyrë të kënaqshme që sistemi parlamentar të punojë pa pengesa në mënyrën europiane të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe mendoj se mbrëmë në këtë mënyrë u veprua dhe kjo është rruga përpara.
Nga takimi i mbrëmshëm, a mendoni ju se mund të arrihet një zgjidhje? A janë palët konstruktive?
Jam optimist se të dy udhëheqësit po kërkojnë një zgjidhje dhe prandaj një zgjidhje mund të arrihet.
#