E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 2009, Mustafaj: Ja formula e fitores së PD-së

Ish ministri i punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, i kërkon lidershipit të PD-së që të marrë në shqyrtim të gjitha opsionet për një formulë sa më efikase të koalicionit të djathtë në parlamentaret e 2009-ës. Z.Mustafaj pohoi dje për “Standard” se duhet hapur një debat brenda vetë partive të së djathtës, pasi çdo opsion i paraqitjes në zgjedhje ka të mirat dhe të këqijat e veta. Për këtë, politikani me karrierë të gjatë në PD, i referohet variantit të njësimit të disa partive aleate me PD-në, krijimin e një federate të së djathtës dhe një tjetër proces për rikthimin e atyre që u larguan nga PD-ja në periudha dhe kohë të ndryshme që nga krijimi i saj. Mustafaj bën të qartë se asnjëri nga këto variante nuk mund të merret me siguri si më rezultativi. Ndaj dhe sugjeron një konsultim të hapur me partitë përbërëse të mazhorancës qeverisëse. Por sipas tij, asnjë vendim nuk mund të merret në mënyrë përfundimtare pa miratimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ai kujton se çdo lëvizje e re politike duhet të bëhet në përputhje me statutin e PD-së.

“Të gjitha formulat duhen shqyrtuar. Secili ka të mirat dhe të këqijat e veta. Por para se të vendoset, duhet çelur një debat edhe me aleatët, dhe po ashtu edhe brenda strukturave të Partisë Demokratike. Gjithçka duhet bërë në përputhje me statutin e partisë, vendimi për njërën apo tjetrën formulë është e drejtë vetëm e Këshillit Kombëtar të PD-së”, - u shpreh z.Besnik Mustafaj. Ai nuk kundërshton asnjë nga variantet e përmendura gjatë këtyre ditëve nga drejtues të spektrit të djathtë. Por ish-ministri Mustafaj mbron faktin se një diskutim i gjerë brenda partive të djathta do të ndihmonte më së tepërmi në zgjedhjen e një formule që do të çonte mazhorancën aktuale drejt një mandati të dytë qeverisës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2009-ës. Javët e fundit, e djathta shqiptare është përfshirë nga diskutimi për mënyrën e re të daljes së saj në zgjedhjet e reja. Por çdo deklaratë është bërë nga elitë respektove e partive dhe ende nuk ka një tryezë të zgjeruar për këtë çështje të të gjithë krerëve të partive të koalicionit të djathtë. Pritet që në muajin shtator të zyrtarizohet ky diskutim dhe të hapet debati për formulën e re të përfaqësimit të aleancës qeverisëse, pasi tashmë politika ka hyrë në një vit elektoral, siç është ai i qershorit për parlamentaret e 2009-ës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›