Ministri i Jashtëm spanjoll, M.A.Moratino: Do të mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO
- Z.Moratino premtoi se do të inkurajojë investitorët spanjollë për të ardhur në Shqipëri
"Sot po i japim një impuls të ri marrëdhënieve tona". Ky ishte vlerësimi i Ministrit të Jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratino gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, të hënën paradite. Kryeministri Berisha, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Spanja i ka dhënë Shqipëri gjatë gjithë viteve të tranzicionit, theksoi vendosmërinë e qeverisë për të punuar me seriozitet në mënyrë që standartet dhe "acquis communautaire" të përvetësohen nga Shqipëria. Ai vlerësoi ftesën dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në Samitin e Barcelonës, duke shtuar se, megjithëse një vend i vogël, Shqipëria mund të luajë një rol të dobishëm.
Z.Berisha e konsideroi vendimin për hapjen e ambasadës spanjolle në Tiranë si një lajm shumë të mirë dhe një kapitull të ri bashkëpunimi. Kryeministri vuri theksin tek vullneti për të inkurajuar investitorët spanjollë për të ardhur në Shqipëri, duke kërkuar njëkohësisht edhe përkrahjen dhe nxitjen nga qeveria spanjolle, gjë për të cilën u sigurua edhe nga miku spanjoll. Z.Berisha nënvizoi potencialin e madh energjitik dhe sidomos hidrik të vendit, një potencial që mund të jetë tërheqës për firmat spanjolle të kësaj fushe. Ai shtoi se do të jetë i lumtur të takojë personalisht investitorët potencialë spanjollë, për të tërhequr interesin e tyre drejt Shqipërisë. Kryeministri shqiptar informoi z.Moratino për orientimin e qeverisë drejt privatizimeve dhe koncesioneve në sektorë të shumtë me asistencën e Bankës Botërore, duke e konsideruar sektorin privat si menaxherin më të mirë dhe duke shprehur dëshirën që firmat spanjolle të jenë të pranishme në këtë proces.
Z.Berisha kërkoi mbështetjen e Spanjës edhe në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër trafiqeve, pastrimit të parave dhe kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ndërkohë, ai vuri në pah nevojën për zgjerimin e mësimit të gjuhës spanjolle nga të rinjtë shqiptarë, si dhe kërkoi mbështetjen e Spanjës në përpjekjet e qeverisë për ringritjen e arsimit profesional në Shqipëri.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm spanjoll, z.Moratino, pasi i paraqiti z.Berisha ftesën e kryeministrit spanjoll Zapatero për të vizituar Madridin, e siguroi atë për mbështetjen e plotë të vendit të tij për integrimin e Shqipërisë në BE, NATO dhe në kuadër të nismës së Mesdheut. "Ju mund të llogaritni plotësisht në mbështetjen tonë", u shpreh z.Moratino në lidhje me proceset integruese, duke shtuar se qeveria spanjolle është e gatshme të ndihmojë drejtpërdrejt ekipin negociues shqiptar për lehtësimin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ai nënvizoi vlerën e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ndërtimin e një identiteti evropian plural. Ai tha gjithashtu se shumë vende të Bashkimit Evropian janë ngritur në sajë të solidaritetit evropian. Në lidhje me nismën e Mesdheut, z.Moratino u shpreh se Shqipëria duhet të ketë vendin e saj, njësoj me vendet e tjera të rajonit dhe për këtë do të ketë përkrahjen e plotë të Spanjës.
Z.Moratino vlerësoi lart politikën e qeverisë shqiptare për inkurajimin dhe tërheqjen e investitorëve të huaj, duke premtuar mbështetjen e qeverisë spanjolle, si dhe duke përmendur si shembull pozitiv organizimin e një Forumi ekonomik me pjesëmarrjes e firmave spanjolle dhe shqiptare në verën e këtij viti. Ai përmendi gjithashtu faktin që një firmë spanjolle është tashmë e pranishme në tregun energjitik shqiptar. Ai vlerësoi gjithashtu edhe gadishmërinë për bashkëpunimin në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, duke premtuar edhe sjelljen e një ekipi të policisë spanjolle për të ndihmuar homologët shqiptarë.