E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E SH.T.Z. SALI BERISHA KRYEMINISTER I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONFERENCËN E MYNIHUT PER POLITIKAT E SIGURISË

Dr. Teltschik,
Ministra,
Shkëlqesi,
Zonja dhe Zotërinj,

Është një nder i madh dhe privilegj, t'i drejtohem sot kësaj audience mbledhur këtu për të diskutuar çështje të një rëndësie përparësore, siç janë politikat e sigurisë.

Së pari do të doja të falenderoja ju Dr. Teltschik për ftesën e përzemërt.

Një nga fenomenet më të spikatura që vihet re në fushën e marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe kombeve në kohën tonë të globalizmit është roli i jashtëzakonshëm dhe i padiskutueshëm që bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal luajnë për zgjidhjen e konflikteve, dhe eliminimin e barrierave në rrugën popujve për zhvillim dhe një të ardhme më të mirë. Përditë e më shumë politikëbërësit, qeveritë dhe popujt po binden se rruga më e mirë për të zgjidhur konfliktet është ajo e bashkëpunimit.

Ky trend për bashkëpunim ndërkombëtar si mjeti më eficent për zgjidhjen e konflikteve ka marrë tashmë një rëndësi strategjike për rajonin e Europës Juglindore. Rajoni ynë, është duke u shkëputur tashmë nga një e kaluar e vështirë, që shpesh ka qenë edhe tragjike, dhe ka hyrë në një fazë të re. Konfliktet e vjetra po tejkalohen dhe po zëvendësohen me dialogun konstruktiv dhe bashkëpunimin rajonal.

Shtetet totalitare janë zëvendësuar me shtete demokratike të cilat po punojnë me vendosmëri për konsolidimin e institucioneve të qëndrueshme dhe shtetit të së drejtës. Sot, perspektiva e integrimit me Bashkimin Evropian dhe NATO është kthyer në yll polar, objektiv parësor për vendet e rajonit.

Megjithatë, akoma eksistojnë sfida të mëdha me të cilat rajoni i Europës Juglindore përballet në fillim të shekullit të njëzet e një. Këto sfida janë:

1. Konsolidimi i paqes dhe stabilitetit në rajon duke i gjetur një zgjidhje të qëndrueshme çështjeve kritike ende të pazgjidhura që nga dështimi i eksperimentit të quajtur Federata Jugosllave.

2. Konsolidimi i vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

3. Nevoja për zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor rajonal.

4. Integrimi në NATO dhe në Bashkimin Europian

Adresimi i këtyre sfidave ka qenë synimi kryesor i bashkëpunimit të komunitetit ndërkombëtar me vendet e rajonit në 15 vitet e fundit.
Konkretisht, objektivat e nismave ndërkombëtare për rajonin e Europës juglindore janë fokusuar në:
– zgjidhjen paqësore të konflikteve,
– reformat politike dhe institucionale për konsolidimin e demokracive dhe shtetit të së drejtës në vendet e rajonit, si dhe
– bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes,
– reformimin e forcave të armatosura, çarmatosjen e rajonit, dhe krijimin e njësive ushtarake të përbashkëta,
– bashkëpunimin për kontrollin e kufijve,
– luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme,
– zhvillimin ekonomik mbi bazën e parimeve të tregut të lirë,
– zhvillimin e infrastrukturave të rëndësishme (rrugë, hekurudha, rrjet energjetik, aeroporte, telekomunikacion),
– bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavinë, në rastin e disa vendeve të ish-Jugosllavisë.

Zonja dhe Zotërinj,

Konfliktet e rrezikshme ndëretnike të periudhës pas rënies së Murit të Berlinit në rajonin e ish-Jugosllavisë si dhe pamundësia për ti zgjidhur ato nga vetë vendet e rajonit diktuan nevojën për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të komunitetit ndërkombëtar për ndërprerjen e luftërave dhe parandalimin e tyre në të ardhmen.

Kjo eksperiencë e hidhur e vendeve të Europës Juglindore në 15 vitet e fundit provoi se qëndrimi i komunitetit ndërkombëtare ndaj këtyre konflikteve si dhe një nivel i lartë bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten kushte përcaktuese për dominimin e shpejtë edhe parandalimin e tyre.

Vonesat në bashkërendimin e bashkëpunimit ndërkombëtar favorizuan humbjen e jetës së një-cerek milioni njerëz gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë.

Mësimet e nxjerra nga Bosnja bënë të mundur që brenda vetëm pak muajsh të dominohej dhe zgjidhej konflikti në Kosovë. Përsosja e mëtejshme e koordinimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, realizoi që, brenda pak javësh, të kufizohej dhe të eliminoheshin përpjekjet për përshkallëzimin e konflikt në Maqedoni.

Prania e KFOR në Kosovë, është një tjetër shembull i kontributit të madh që bashkepunimi ndërkombëtar kas sjellë në rajonin tonë si dhe një shembull i shkëlqyer i suksesit që mund të arrihet nëpërmjet këtij bashkëpunimi.

Por sot, rreziqet e nacionalizmave në Ballkan janë zëvendësuar me rreziqe të reja si krimi i fuqishëm i organizuar dhe terrorizmi ndërkombëtar. Gjatë këtyre viteve të fundit, krimi i organizuar është fuqizuar dhe pasuruar, duke u mbështetur nga lobe dhe klane të caktuara politike. Ai është bërë agresiv dhe në dhjetë vitet e fundit ka ndërmarrë akte të mirëfillta të terrorit politik në Shkup, Tiranë dhe Beograd.
Qeveria që unë drejtoj ka shpallur luftë me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Prerja e lidhjeve të krimit të organizuar me politikën dhe me kanalet e pasurimit të tyre si dhe sjellja e antarëve të organizatave kriminale përpara ligjit janë nga prioritetet tona më të rëndësishme. Them me bindje se përpjekjet për të dominuar dhe për të shuar këto rreziqe të reja nuk do të mjaftojnë pa bashkëpunimin e ngushtë të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit të vendeve të rajonit dhe më gjerë për një kontroll efikas të kufijve dhe për koordinimin e përpjekjeve për zbulimin, ndjekjen dhe eliminimin e gjithë grupeve kriminale në rajon.

Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është gjithashtu një fushë ku rezultatet më të mira arrihen përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Megjithëse një vend i vogël me burime të kufizuara, ne kemi bashkëpunuar ngushtë me sherbimet e specializuara të vendeve mike dhe fqinje për të kontribuar në këtë luftë të rëndësishmë. Për më tepër, Shqipëria merr pjesë në misionin e NATO-s në Afganistan dhe në Koalicionin e Vullnetit në Iraq.

Përveç këtyre, niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, niveli i lartë i varfërisë dhe papunësisë qe shoqerojne ate, mund të kthehen në risk dhe burim instabiliteti. Kusht themelor për kapërcimin e nën-zhvillimit ekonomik të trashëguar është inkuadrimi i rajonit në projektet e mëdha të BE-së për infrastrukuturat e rëndësishme si rrugë, hekurudha, rrjete energjetik, dhe telekomunikimi, linja transportimi të lëndëve djegëse, të cilat do të mundësojnë intensifikimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet vendeve të rajonit.

Respektimi dhe garantiumi i të drejtave dhe lirive të minoriteteve, bazuar në Karten e Kopenhagenit dhe dokumente të tjera ndërkombëtare, mbetet kusht kryesor për garantimin e paqes dhe stabilitetit, në vecanti, në vendet e Ballkanit, të cilat ende nuk kanë arritur të ndërtojnë sisteme drejtësie realisht të pavarur dhe apo shtet ligjor efektiv. Sikundër mendoj që shtrirja e të drejtave të minoriteteve tek emigrantet e ardhur nga vende të tjera do të mund të kontribuonte shume për integrimin e tyre në shoqëritë ku ata jetojnë.

Zonja dhe zotërinj,

Megjithë progresin e madh që rajoni ka bërë në drejtim të zgjidhjes së konflikteve, mbeten ende për zgjidhje dy cështje të mëdha, ajo e statusit final të Kosovës dhe cështja e referendumit në Mal të Zi

Shqipëria ka mbajtur dhe mban një qëndrimi realist për zgjidhjen e çështjes së statusit final të Kosovës. Unë mendoj se statusi përfundimtar i Kosovës duhet të garantojë respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të serbëve dhe të gjithë minoriteteve të tjera në Kosovë, ktimin e të shpërngulurve, zbatimin efektiv të decentralizimit bazuar në Kartën Europiane të Autonomisë Locale dhe Rajonale, një dialog konstruktiv ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe, pa diskutim, respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për pavarësi.

Unë kam bindjen se udhëheqja politike e kosovës është shumë serioze dhe e vendosur në angazhimet e saj për respektimin e lirive dhe të drejtave të Serbëve dhe se ka përgatitur një platformë vërtet serioze dhe realisht bashkëkohore për decentralizimin, si dhe është e hapur për dialog me Beogradin për të gjitha cështjet e tjera përvec asaj të statusit të ardhshëm.

Mendoj se pavarësia e Kosovës do të jetë një hap i madh në shërbim të zhvillimit të saj ekonomik dhe social dhe do të shërbejë si një faktor madhor stabiliteti për vetë Kosovën në rradhë të parë, por edhe për forcimin e stabilitetit në Shqipëri, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Kjo për faktin se dhënia e pavarsisë Kosovës do ti japë një përgjigje përfundimtare fluiditetit të faktorit shqiptar në Ballkan.

Është pikërisht kjo arsyeja pse Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia ndajnë pothuajse të njëjtën pikpamje përsa i përket cështjes së statusit të Kosovës.

Për më tepër, jam plotësisht i bindur së pavarësia e Kosovës do të shërbejë për forcimin e stabilitetit edhe në Serbi, për arsye se do ta shkëpusë atë nga lidhjet e demshme me të shkuarën, do ta clirojë nga focat extremiste e radikale, do të shpejtoj demilitarizimin e saj, duke lehtësuar kështu rrugën për integrimin e Serbisë në strukturat Euro-Atlantike. Kjo është edhe arsyeja pse kjo ide po fiton gjithnjë e më shumë përkrahjen e forcave të moderuara në Serbi.

Të njëjtën bindje kam edhe përsa i përket të drejtës legjitime të qytetarëve të Malit të Zi të vendosin nëpërmjet një referendumi të lirë, dhe që plotëson standartet ndërkombëtare,për të ardhmen e tyre. Mendoj se kjo do të forcojë akoma edhe më tej stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Zonja dhe Zotërinj,

Në këto 15 vitet e fundit, vendet e rajoni të Europës Juglindore përjetuan konflikte të ashpra, spastrime ethnike dhe një krizë të thellë. E megjithatë, ëndrra e integrimit në BE dhe NATO mbeti gjallë dhe u kthye në projektin udheheqes për një të ardhme më të mirë. Parë nga kjo perspektivë, nismat rajonale si Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore, Karta e Adriatikut, SEDM-i, SEECP, Iniciativa e Europës Qëndrore dhe ajo e Detit të Zi kanë ofruar një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në përgatitjen e këtyre vendeve për integrim në NATO dhe BE.

Ngjarjet e mëdha të vitit të shkuar si hapja e negociatave ndërmjet Kroacisë dhe BE për anëtarësim, dhënia e statusit të kandidatit për anëtarësim Maqedonisë, propozimi i Komisionit për mbylljen e negociatave për MSA me Shqipërinë, fillimi i negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi, por edhe Bosnjë-Hercegovinën janë hapa të mëdha në procesin e integrimit me BE të këtyre vendeve .

Në kuadër të Kartës së Adriatikut, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia kanë arritur progres të madh përsa i përket rrugës së tyre drejt NATO-s. Do të dëshiroja me këtë rast të falenderoj përzemërsisht Kanzelaren Merkel për fjalët inkuarajuese që ajo tha këtë mëngjës përsa i përket perspektivës së Shqipërisë dhe të dy vendeve të tjera mike për anëtarësim në NATO.

Duke perfunduar, dua te theksoj se procesi i integrimit ne BE dhe NATO duhet te jetë para së gjithash dëshmitar i vullnetit të popujve të vendeve tona të ndajnë të njëjtat vlera me vlerat e vendeve Perëndimore, në rradhë të parë parimet e demokracisë, shtetit ligjor si dhe dëshirën për të jetuar së bashku në paqe e miqësi.

Ju falënderoj për vëmendjen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›