Kryeministri Berisha ngushëllon homologun egjiptian për tragjedinë në detin e Kuq
Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar të dielën një mesazh ngushëllimi kryeministrit të Egjiptit Ahmed Nazif, pas tragjedisë në detin e Kuq. Në mesazhin e tij, z.Berisha shprehet:
"Me dhimbje të thellë thellë mësova lajmin tragjik të aksidentit në detin e Kuq në të cilin humbën jetën qindra bashkëqytetarë Tuaj egjiptianë.
Në emër të Qeverisë së Shqipërisë dhe në emrin tim personal, dëshiroj t'ju përcjell ndjenjën e solidaritetit të thellë dhe t'ju siguroj se në këtë moment të vështirë lutjet tona janë për të humburit dhe familjet e tyre.
Përmes këtij mesazhi, dëshiroj gjithashtu t'ju përcjell ngushëllimet të gjithë familjeve të viktimave."