E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Integrimi në BE dhe lëvizja e lirë, zotimi im për mandatin e dytë qeverisës

Kryeministri Sali Berisha, i ftuar mbrëmë në emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, deklaroi se vetëm në katër vite qeveria e drejtuar prej tij, ka kapur rezultatet më të shkëlqyera të arritura ndonjëherë nga qeverisjet e mëparshme. Kryeministri u shpreh se këto katër vite ishin një eksperiencë e gjerë që i shndërroi reformat e qeverisë në një sukses të jashtëzakonshëm, të cilat, siç premtoi kryeministri, do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet edhe gjatë mandatit të dytë. Duke iu referuar korpusit të gjerë të reformave, të realizuara në sektorët përkatës dhe më jetikët, që përcaktojnë rrjedhën funksionale të strukturave të shtetit, kryeministri Berisha përmendi fushën e arsimit, reformat e realizuara në të si tepër të suksesshme. “Bëmë dyfishimin e buxhetit për arsimin. Këto para shkuan në dyfishim e rrogave për 44 mijë mësues dhe kjo ka një rëndësi të madhe për të sotmen dhe të ardhmen e këtij kombi dhe vendi. Me një mundim të madh vendosëm mesuesit në mbarë vendin në piramidën më të lartë të pagave. Investimet në arsim duhet të jenë parësoret. Kemi vendosur Maturën Shtetërore, kemi nxjerrë jashtë çdo korrupsioni pranimin në universitete, kemi dyfishuar numrin e studentëve. Nëse ka një fushë ku reformat kanë dhënë rezultate, janë ato në arsimi. Kemi shtrirë kabinetet e informatikës në çdo shkollë të vendit dhe brenda dy muajsh shtrijmë internetin në të gjitha shkollat në çdo cep të Shqipërisë. Ne kemi ndërtuar 1012 shkolla dhe kanë ngelur edhe 1000 të tjera për t’u ndërtuar, të cilat do të ndërtohen gjatë mandatit të dytë. Pra, është një arsim krejt tjetër, të paktën një kthesë rrënjësore, një angazhim të plotë ndaj proçesit të edukimit”, u shpreh kreu i qeverisë. 

Përsa i takon reformës në sektorin e shëndetësisë, Berisha tha se ndërhyrja e parë e qeverisë ishte ajo në rritjen e pagave të infermierëve dhe mjekëve. “Reforma me paga bosh nuk ka. Kur u bëra kryeministër para 4 vjetësh i gjeta infermieret me 150 mijë lekë të vjetra. Reforma e parë ishte të normalizoja jetën e tyre, duke dyfishuar rrogat. Në rrogën e majit infermierët do të marrin dy herë më shumë se 4 vjet më parë. Po kështu për mjekët. Gjeta ISKSH të falimentuar. Vendosëm shuma të mëdha. Nuk mund të bësh reformë me një institucion sigurimesh të falimentuar. Pra, reforma në shëndetësi ka ngushtësuar edhe qeveritë nga më seriozet në botë. Unë jap fjalën dhe zotohem solemnisht se atë reformë do ta përmbyll”, garantoi kryeministri Berisha. 

Lidhur me çështjen e pronësisë dhe kthimin dhe kompensimin e pronave, Berisha tha se një problem pengesë në realizimin e saj janë malet e falsifikimeve që sistemi kleptokratik 8 vjeçar socialist, kishte ndërtuar në Shqipëri. Qeveria, tha Berisha, po merret ditë e natë për të zhbërë malin e falsifikimeve, është vendosur ligji që 10% e privatizimeve do t’u kalojë pronarëve. “Qeveria është e detyruar ta zbatojë një për një. Reforma e pronësisë nuk mund të kompletohet lehte, sepse është një reformë komplekse, por në mënyrë absolute, do të jetë PD-ja ajo që do ta finalizojë, sepse Edi Rama u tha pronarëve: Shkoni te partia juaj. Agjencia e Pronave, ka një presion të paimagjinueshëm, nëse përpara çdo keqveprimi mbrohej, sot ndëshkohet, kjo është detyra ime dhe bëj me vendosmëri të madhe. Kam besim te ekipi aktual për të zhdërvjedhtërsuar dhe të jeni të sigurtë se ky proces do të marrë përgjigjen më të mirë, natyrisht edhe gjatë mandatit të ardhshëm. 98% e pronarëve janë me Sali Berishën, ata që nuk duan vëllaun e tyre, ata nuk bësojnë. Pronarët votëbesojnë qeverinë time”, u shpreh më tej kryeministri Berisha. 

Kryeministri Berisha theksoi se tani hapet sipari i një maratone të re. Ndërkohë që kanë mbetur edhe 51 ditë deri në fund, kryeministri garanton se edhe pse ditët janë të pakta dhe jofavorizuese, qeveria do të punojë me intensitet të plotë me detyrat e saj, të cilat do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ardhshëm. “Ditët i numëroj me punë. Nuk mund të nënvlerësoj 50 ditët e fundit, një qeverie e cila pas një eksperience të gjërë i shndërron reformat në suksesin e jashtëzakonshëm, të cilat ju garantoj se do të vijojnë edhe gjatë mandatit të dytë”, tha kryeministri. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›