Schefer viziton sot Tiranën

Në datë 8 maj 2009, në Tiranë zhvillohet takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme i Komisionit të Partneritetit, në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të Kartës së Adriatikut A5. Të ftuar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, në takim marrin pjesë homologët e tij nga Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Kroacisë, si dhe Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas burimeve të ministrisë së Jashtme, takimit do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i cili vjen për një vizitë në vendin tonë.
Në takim do të diskutohet rreth perspektivave të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe forcimit të bashkëpunimit në funksion të integrimit të të gjithë rajonit në strukturat Euroatlantike, si dhe çështjeve të sigurisë në interes të rajonit dhe më gjerë. Në përfundim të takimit do të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët e Ministrave të Punëve të Jashtme të Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut.
Më tej, në vijim, Schefer do të pritet në një takim nga kryeministri Sali Berisha, ku edhe të dy personalitetet do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjithashtu, edhe Presidenti Topi, pritet të takojë gjatë ditës së sotme Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.
...