Stadiumi, Bici kundër...Bicit
Drejtori i sporteve në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Vasil Bici, ka lënë të kuptohet se rikonstruksioni i pjesshëm i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” është i rrezikshëm. Sipas tij, në rast se shtohet kapaciteti i numrit të tifozëve që mund të akomodohen në tribunën përballë, atëherë ajo duhet të rikonstruktohet e gjitha. “Ne jemi konsultuar me disa specialistë dhe ata na kanë bërë të qartë se duhet rikonstruktuar i gjithë stadiumi, pasi nëse bëhen rregullime të pjesshme dhe shtohet numri i tifozëve, atëherë kjo paraqet rrezikshmëri, pasi kolonat aktuale që mbajnë tribunën përballë nuk japin garanci”, është shprehur Vasil Bici në media. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici, ka thënë se për të realizuar një rikonstruksion total të stadiumit duhet një shifër rreth 40 milionë euro. “Ndoshta drejtori i sporteve në MTKRS ka të drejtë, por për ta bërë një gjë të tillë, pra për ta rikonstruktuar të gjithë stadiumin duhen rreth 40 milionë euro dhe ne si federatë nuk e garantojmë dot një shumë të tillë. Nëse qeveria gjen fondet, jemi plotësisht të gatshëm. Megjithatë, më parë duhet të flas vetë me zyrtarët e MTKRS-së për këtë problem”, ka thënë numri 2 i federatës.