“Do zbatojmë ligjin e 2005 për ish-ushtarakët”
Kryetari i LSI-së Ilir Meta takoi dje ish-ushtarakë, me të cilët diskutoi rreth problemeve që i shqetësojnë ata, ku më kryesori është mungesa e trajtimit ushtarak dhe financiar nga ana e qeverisë Berisha. Meta u shpreh dje në bisedën me ish-ushtarakët se “qeverisja e koalicionit të LSI, pas zgjedhjeve të 28 qershorit do të vërë në zbatim ligjin që është miratuar në vitin 2005 për këtë shtresë, por që Kryeministri Berisha e shfuqizoi. Unë besoj se, pas 28 qershorit, kur Berisha pa diskutim që do të shkojë në opozitë dhe do të dalë në pension, pa diskutim që do të zbatohet vendim nr.9 i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2007. Është një detyrim jo vetëm kushtetues, por është një detyrim politik, një detyrim social e njerëzor, dhe një detyrim atdhetar i secilit prej nesh që është angazhuar në politikë, për arsye të atdhetarizmit dhe sakrificave që përfaqësojnë ish-ushtarakët përgjatë gjithë jetës së tyre”, tha Meta. Kreu i LSI dënoi këtë veprim të Kryeministrit Berisha, duke qenë se ai e votoi pro ligjin për ish-ushtarakët kur ishte në opozitë. Duke iu referuar bashkëpunimit mes LSI dhe ish-ushtarakëve, Meta tha se LSI nuk e konsideron këtë një bashkëpunim për motive politike dhe elektorale por, si një bashkëpunim që ka në bazë të tij atdhetarizmin dhe patriotizmin.