E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klan serbo-grek kundër Bushit te Levadhiakos

 

Jetmir Halilaj

Raporti i shqiptarëve me grekët dhe serbët shpeshherë ka qenë i vështirë dhe kësaj nuk i ka shpëtuar as Alban Bushi, që pjesën dërrmuese të karrierës e ka kaluar në kampionatin helen. Të dielën ai ka pasur një debat të ashpër me trajnerin e skuadrës së tij te Levadhiakosi, serbin Ivan Vukoviç. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Kombëtares sqaron se gjithçka mund të jetë një skenar i përgatitur mirë nga trajneri dhe presidenti për t’i mbajtur parà nga rroga e tij.
Keni pasur një përplasje me trajnerin e skuadrës dhe rrezikoni një gjobë. Çfarë ka ndodhur?
Po, është e vërtetë që kam pasur një përplasje, pasi trajneri serb i skuadrës sime, nuk u tregua burrë me mua në këtë ndeshje. Para dy javësh luajtëm një takim në transfertë kundër Iraklisit, që ishte shumë i rëndësishëm për ne përsa i përket mbijetesës në Superligë. Trajneri gjatë gjithë javës vinte dhe më përqafonte duke më thënë: Alban duhet të na ndihmosh në këtë takim, sepse është më i rëndësishmi i sezonit. Luajta si titullar dhe fituam 3-2. Dhashë dy asiste në atë ndeshje dhe u cilësova lojtari më i mirë i takimit.
“OK”, deri këtu në rregull, çfarë ndodhi më pas?
Menjëherë pas asaj ndeshjeje trajneri im ndryshoi tërësisht qëndrim. Ndryshe nga shokët e skuadrës dhe kapiteni i saj, të cilët shpeshherë më bënë komplimente dhe më falënderuan për gjithçka bëra në atë takim, tekniku as që donte t’ia dinte. Nuk më fliste dhe mbante distancë. Në ndeshjen kundër OFI-t, nuk më futi fare dhe në minutën e 92-të më tha të hyja në lojë, ndërkohë që kisha dalë në nxemje që në minutën e 80-të. Nuk pranova dhe këtu nisi gjithçka.
Ju nuk i jeni bindur trajnerit dhe ai, të paktën formalisht ka të drejtë...
Unë e pranova gabimin dhe ditën tjetër i kërkova ndjesë që s’iu binda urdhrit të tij, ndonëse në vetvete isha i bindur se diçka nuk shkonte mes nesh. Unë jam i ndërgjegjshëm se tani jam 35-vjeç dhe nuk mund të luaj dy ndeshje radhazi si titullar. Madje, kam aq burrëri sa kur trajneri të më thotë se nuk je në formacion në këtë ndeshje, unë ta pranoj pa zhurmë. Por në këtë rast dyshoj. Kam përshtypjen se tani që skuadra praktikisht ka siguruar mbijetesën, duan të nxjerrin ndonjë justifikim për të më mbajtur një pjesë të rrogës, pasi unë nuk i kam marrë të gjitha paratë deri tani. Kjo ndodh shpesh këtu. Ndryshe nuk i jap dot shpjegim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›