E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kualifikohen Çelsi e Liverpuli,ikin Juventus dhe Real Madrid

 

U kualifikuan për në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve dy skuadrat e para angleze, pikërisht Liverpuli dhe Çelsi, ndërsa të merkurin do të tentojnë kualifikimin dhe i kanë të gjitha mundësitë ta bëjnë këtë, Mançesteri dhe Arsenali. U luajtën mbrëmë katër takimet e para që përcaktuan katër skuadra që do të vazhdojnë më tej. U kualifikuan Liverpuli dhe Çelsi, Vilareali dhe Bajerni i Mynihu. Liverpuli shkatërroi në “Anfild” 4-0 Realin e Madridit, duke konfirmuar se fitorja para dy javësh në “Santiago Bernabeu” nuk ishte aspak e rastësishme. Torres, dy herë Xherard dhe Dosena ishin autorët e golave për skuadrën e Benitezit, që nuk e vuri në asnjë moment në diskutim kualifikimin. Në takimin tjetër të rëndësishëm të së martës Juventusi barazoi 2-2 në Torino me Çelsin, pa mundur të kualifikohet. Shpresat u ndezën që në pjesën e parë, teksa Iakuinta do të mposhtte Peter Çehun, por baraspesha do të arrihej nga Esien. Edhe pse me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Kielinit, Juvja do të kalonte përsëri në avantazh me Del Pieron, i cili realizoi nga pika e bardhë. Por vetëm kaq. Nuk mjaftoi zemra dhe grinta e futbollistëve të Ranierit, të cilët dhanë më shume se 100 % përballë “makinës shkatërruese” që mban emrin Çelsi. Drogba shënoi golin e sigurisë gati 10 minuta para përfundimit, që i dha fund ëndrrës juventine për kualifikim. Plot emocione ishte edhe sfida mes Panathinaikosit dhe Vilarealit. Miqtë kaluan të parët në avantazh, por u barazuan nga vendësit vetëm pas disa minutave. Vilareali goditi sërish atëherë kur vendësit po tregoheshin zotër të fushës. Kaq ka mjaftuar për ta ruajtur deri ne fund avantazhin e krijuar. Nuk ka pasur shumë histori ndeshja e “Allianz Arena”-s.

Rezultatet

Liverpul - Real Madrid 4-0 (1-0)
16’ Torres, 28’ (11m), 47’ Gerrard, 88’ Dossena
Juventus - Çelsi 2-2 (0-1)
19’ Iakuinta, 74’ Del Piero (11m)/45’ Esien, 83’ Drogba
Panathinaikos - Vilareal 1-2 (1-1)
55’ Mantzios/49’ Ibagaza, 70’ Llorente    
Bajern M. - Sporting L. 7-1 (5-0)
7’, 34’ Podolski, 39’ Polga (ag), 43’ Shvainstaiger, 74’ Van Bommel, 82’ Klose (11m), 90’ Myler/42’ Moutinho    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›