“Zamir Poda”, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e opozitës
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankesën e deputetëve socialistë, për të shfuqizuar votimin për Zamir Podën. Deputetë socialistë që i janë drejtuar Kushtetueses, thanë dje për “Panorama” se shumica e anëtarëve të kësaj gjykate, kanë argumentuar se kandidatura e Zamir Podës nuk ka marrë shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit. Poda, pas votimit në Kuvend, mori 65 vota pro, 62 vota kundër, 1 abstenim dhe dy vota të pavlefshme në një sallë ku ishin të pranishëm 130 deputetë. Zamir Poda ishte një nga kandidatët për anëtar në Gjykatën e Lartë, që nuk arriti të marrë shumicën e votave në Kuvend. Shumica e anëtarëve të gjykatës është mbështetur në interpretimin e nenit 78 pika 1, sipas të cilit, votimi quhet i vlefshëm kur në sallë janë më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit dhe fituesi të marrë 50+1 të votave. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, deputetët opozitarë kërkonin interpretimin e pikës 1 të nenit 78 të Kushtetutës, për shumicën e kërkuar në marrjen e vendimeve nga Kuvendi, përfshirë dhe dhënien ose jo të pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës dhe, për rrjedhojë, interpretimin e pikës 1 të nenit 55 të rregullores së Kuvendit të dalë në zbatim të tij. Gjithashtu deputetët e opozitës kërkonin shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 190, datë 16.06.2008 “Për mosdhënien e pëlqimit për emërimin e zotit Zamir Pode, si anëtar i Gjykatës së Lartë”, pasi sipas tyre procedurat e ndjekura kanë qenë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Në argumentimin e tyre, deputetët opozitarë i referohen procedurës së ndjekur nga Kuvendi dhe deklaratës së Kryetarit të Komisionit të votimit, Arjan Madhi, i cili pasi numëroi votat për Zamir Podën, e shpalli atë fitues me 65 vota, duke marrë në këtë mënyrë dhe pëlqimin e Kuvendit. Por rrëzimi i këtij votimi, sipas tyre, është bërë pas një deklarate publike në media jashtë seancës plenare, vetëm në cilësinë e deputetit të thjeshtë tashmë, pasi funksioni i tij si kryetar i komisionit të votimit kishte përfunduar. Madhi deklaroi pas votimit se Zamir Poda nuk ka marrë pëlqimin e Kuvendit, pasi ai duhej të kishte fituar 66 vota dhe jo 65. Kjo deklaratë jozyrtare e Madhit, sipas deputetëve socialistë, është pasqyruar edhe në procesverbalin e asaj seance, duke e konsideruar këtë deklaratë dhe rezultat zyrtar të votimit të seancës.