LSI: Projekti tek Liqeni bashkëpunim Rama-Berisha
Lëvizja Socialiste për Integrim u është rikthyer dje akuzave për një marrëveshje, sipas saj, mes kryetarit të PS-së Edi Rama dhe Kryeministrit Berisha. Sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, akuza e radhës është për një detyrë projektimi që bazohet në një vendim të KRRT-së së Tiranës në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mbledhje, kur vendosej edhe për asgjësimin e klubit sportiv “Partizani”. Kjo detyrë projektimi lidhet me zonën përgjatë Liqenit Artificial që përfshin kopshtin botanik, kompleksin “Dinamo” dhe zonën e Gardës së Republikës. “Të gjitha argumentimet e paraqitura janë një provë e pakundërshtueshme se çdo veprim është kryer duke pasur një konsensus të plotë Rama-Berisha, sepse tregohet qartë se dihej që më parë se Berisha do të ndryshonte ligjet, ashtu siç dhe bëri me ligjin për sportin për të legalizuar aferën e paligjshme të gatuar që më parë”, - tha Vasili. Ai vuri në dukje se sot të gjithë janë të rrezikuar dhe të gjithë duhet të reagojnë pa humbur kohë. “Qytetarë të thjeshtë, pjesëtarë të shoqërisë civile, sportistë e sportdashës të Partizanit, Dinamos e të tjerë, politikanë të të gjithë spektrit politik, organizata rinore dhe të grave për të mos lejuar në asnjë mënyrë një krim historik të përmasave të tilla që godet Tiranën e qytetarët e saj”, - deklaroi Vasili.