E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i të rinjve: Do të marrim FRESSH-in me mbështetjen e Ramës



“Ku ka zë, nuk është pa gjë”. Zërat mediatikë se dy miket, Ajola Xoxa dhe Megi Ajtyresa do të jenë rivale për kryetaren e FRESSH-it janë të vërteta dhe këtë e pranojnë tre të rinjtë që kanë marrë tashmë de facto kryesimin e këtij forumi. Zgjedhjet priten të zhvillohen në fund të muajit shtator ose në fillim të tetorit. “Përplasja” mes Ajtyresës dhe Xoxes është vërtetuar nga një njoftim për shtyp i nisur nga vetë Forumi me qëllim bërjen të ditur se Dritan Broka, një nga të rinjtë e FRESSH-it do të jetë kandidat për zëvendëskoordinator. Mes të tjerave, njoftimi thotë se dy vajzat janë rivale me njëra-tjetrën për kreun e FRESSH-it, pavarësisht se asnjëra prej tyre nuk e ka zyrtarizuar kandidimin. “Përveç dy vajzave rivale për kreun e FRESSH-it, Ajola Xoxa dhe Megi Ajtyresa, edhe pse asnjëra prej tyre nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht kandidimin, Forumi Rinor Eurosociaolist Shqiptar, kohët e fundit, pas një apatie të gjatë, është kthyer në një “kantier të vërtetë ndërtimi”, duke zhvilluar aktivitete nga më të ndryshmet në mbarë vendin dhe jashtë tij”, - thuhet në një njoftim të Forumit Rinor. Për herë të parë pranohet publikisht se Ajola Xoxa gëzon mbështetjen e kryetarit të PS-së, Edi Rama. Sipas këtij njoftimi, Xoxa “ka qenë mjaft e stimuluar për t’i ndryshuar gjërat, pas premtimit që i është bërë, se nëpërmjet punës të mirë mund të marrë kreun e FRESSH-it dhe pse jo, në 2009-ën të jetë në listat e deputetëve”. Në njoftim sulmohet hapur kryetarja aktuale, e cila nuk e ka komentuar fare këtë situatë që është krijuar në forumin e të rinjve socialistë. Në të thuhet se FRESSH-i nuk ka funksionuar fare gjatë këtyre dy viteve dhe se mbledhjet zhvilloheshin kafeneve, situatë që sipas këtij njoftimi ka ndryshuar në tre muajt e fundit, që kur frenat e tij janë marrë nga treshja Kondi, Broka, Xoxa. “Në FRESSH dy vitet e fundit mbledhjet kishin filluar të bëheshin vetëm kafeneve dhe iniciativat e lira të të rinjve kishin shkuar në nivelin zero. Por s’mund të thuhet e njëjta gjë për sa i takon 3 muajve të fundit, pasi nismat kanë qenë të shumta dhe tejet efikase dhe natyrisht për këtë rizgjim dikush duhet t’i marrë meritat”, - vazhdon njoftimi. Lufta në heshtje që po zhvillohej në forum më në fund është pranuar hapur. Në këtë situatë vetëm Ajtyresa nuk ka dhënë asnjë shpjegim duke u munduar që ta kalojë në heshtje “shmangien” haptazi që i është bërë asaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›