E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Mjaft: Bashkia e Tiranës nuk po mban premtimet ndaj elektoratit

Partitë politike, kryesisht dy të mëdhatë, kanë një përqasje shumë të ulët të realizimit të premtimeve elektorale në Bashkinë e Tiranës. “Mjaft” publikoi dje raportin e projektit “Unë votoj për Këshillat Bashkiakë”. Ky është publikimi i parë i cili paraqet vlerësimet mbi punën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për një periudhë gati njëvjeçare, nga marsi i vitit 2007 deri në prill të vitit 2008. Sipas raportit, nga monitorimi vihet re një nivel i ulët i qasjes së premtimeve elektorale me vendimet e marra. Kështu, Partia Demokratike edhe pse është në opozitë në këtë këshill ka qasur 21.8% të premtimeve elektorale, ndërsa Partia Socialiste, e cila drejton dhe Bashkinë e Tiranës, ka qasur 25.6% të nismave të ndërmarra në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Një tjetër kategori ku përqendrohet ky publikim është prania e anëtareve të këtij Këshilli Bashkiak, si dhe aktivizimi i tyre në diskutimet mbi çështje që shqetësojnë qytetarët, kjo në fakt ka rezultuar dhe pika më e dobët e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, sepse nga monitorimi është vënë re një numër i madh mungesash, si dhe një listë e gjatë me anëtarë të cilët nuk janë aktivizuar në diskutimet e asnjë prej mbledhjeve të monitoruara. Nga monitorimi rezultojnë pesë anëtarë të Këshillit Bashkiak që kanë munguar në miratimin, për rrjedhojë dhe diskutimin e shqyrtimin e më shumë se gjysmës së çështjeve që janë shtruar në Këshill për këtë periudhë njëvjeçare. Gjithashtu, janë pothuajse 35% e anëtarëve të cilët nuk kanë marrë pjesë në diskutimin e asnjë prej çështjeve të monitoruara nga skuadra “Unë votoj”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›