Berisha: Jap dorëheqjen në rast se humbas zgjedhjet
05/03/2005 Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha dje se në rast se humbiste zgjedhjet parlamentare të këtij viti atëherë nuk përjashtohet mundësia që të japë dorëheqjen. Kreu demokrat u shpreh se qëndrimi i tij në krye ose jo të PD-së do të varet nga verdikti që do të japin shqiptarët. "Qëlloi që të jem presidenti i parë të zgjedhur me vota të lira. Asnjë lloj vështirësie nuk kam për të pranuar verdiktin e sovranit, e kam pranuar dhe do të pranoj çdo lloj verdikti, me kusht që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Dhe manipulimi zgjedhjeve nuk është specifike vetëm për Shqipërinë. Megjithatë ka gjykatës ndërkombëtarë për të gjitha vendet që kanë probleme me zgjedhjet. Dhe kur gjykatësi i deklaron të lira dhe të ndershme, nuk mund të më shkojë kurrë ndërmend që të mos marr të gjitha vendimet në përputhje me këtë vendim dhe të siguroj se i marr më me lehtësi se shumë e shumë të tjerë", tha Berisha.Kjo është e dyta herë që Berisha deklaron se do të japë dorëheqjen nga kryesimi i partisë, në rast se PD-ja humbet zgjedhjet.