Gjoni: PS-PD shkelën Kushtetutën për ndarjen elektorale
05/03/2005 Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, ka kundërshtuar marrëveshjen mes partisë së tij dhe Partisë Demokratike për ndarjen e zonave elektorale. Gjoni thekson se kompromisi PS-PD është bërë në kurriz të Kushtetutës, Kodit Elektoral dhe zgjedhësve. Ai tha se "zgjedhësve dibranë u mohohet një e drejtë për të zgjedhur dhe për t'u përafqësuar në Kuvendin e Shqipërisë. Për më tepër, po të kemi parasysh që në grupin e majtë aktual në rreth 84 deputetë, janë vetëm 6 prej tyre që përfaqësojnë Veriun. Më duket se kjo shifër është shumë domethënëse, kishte nevojë që të rregullohet sadopak edhe në rastin e Dibrës". Ndërkohë që Gjoni e cilëson vendimin politik të grupit socialist jo të drejtë. Sipas tij, "vendimi politik, që u mor në grupin e PS-së, u zbatua, por nuk është një gjë e mirë që Kushtetuta dhe kodi elektoral të shkelen, për hir të të ashtuquajturit konsensus. Unë jam dakord që të arrihet konsensusi dhe ky duhet të ishte arritur më përpara, por jo në kurriz të Kushtetutës dhe të zgjedhësve".