LSI: Nano-Berisha zbatuan porositë e Geixh
05/03/2005 Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar Nanon dhe Berishën për dëmin që i kanë shkaktuar Shqipërisë me miratimin e ndarjes së re elektorale. Sipas kryetarit të Grupit parlamentar të kësaj partie, Sabit Brokaj, "ndarja e zonave elektorale është një nga pazaret Nano-Berisha, apo PD-PS, madje dhe shpifja që bën ”ZP” ka pikërisht këtë funksion, dhe të mbulojë këtë marrëveshje të fundit të tyre. Berisha i ka krijuar favorin Nanos të ketë një zonë me 5 mijë votues më pak jo me veriun, por brenda Qarkut të Vlorës, ku realizohet në fakt një porosi e Nikolla Geixhit, e vitit 2001, për të përcaktuar zonat që favorizon 'Omonian'". Brokaj tha se "marrëveshja e të dyja palëve është ”mish- mash”, që është krijuar në ndarjen e zonave elektorale në gjithë Shqipërinë, duke realizuar përsëri pazarin dëmtues për interesat kombëtare të dy partive të mëdha". Gjithashtu, në deklaratën e tij, Brokaj ka akuzuar organin zyrtar të PS-së "Zëri i Popullit" për shpifje, ku thuhet se "LSI ka votuar pro amendamentit për dëshmorët".