E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jap dorëheqjen nga PD, po humba zgjedhjet

13/03/2009  Kryeministri shprehet i gatshëm për një debat me kreun e PS-së Edi Rama

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se në rast se Partia Demokratike do të humbasë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ai do të largohet. Por, ai u shpreh i bindur se forca politike që drejton do të fitojë këtë përballje të rëndësishme elektorale. Ai ka deklaruar se është i gatshëm të përballet në një emision televiziv me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Duke folur në emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, Kryeministri Berisha ka është ndalur në vendimin i tij për shkarkimin e ish-ministrit Ylli Pango, ka qenë mëse i drejtë. Por sipas kreut të qeverisë skenaristi i gjithë ngjarjes ishte kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Berisha ka sulmuar politikën e ndjekur nga kryesocialisti Rama në drejtim të sulmeve të drejtpërdrejta dhe me qëllime dashakeqe. Duke folur në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, shefi i ekzekutivit theksoi se me ngjarjen e Ylli Pangos u vu re fenomeni i linçimit ndaj një personi. Berisha tha se nuk është absolutisht dakord të linçohet një person përmes një kurthi të qartë. “Ai që organizoi kurthin, organizoi linçimin, ai censuron mediet dhe shkroi skenarin”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha. Ai nënvizoi se ish-ministri i Kulturës mori çka meritonte. Megjithatë, Berisha vuri theksin në të drejtën e qytetarit për të mos u përgjuar në shtëpinë dhe pronën e tij. Sipas tij, në qoftë se do të lejohet një gjë e tillë, atëherë qytetarët janë në rrezik të vërtetë. “Të filmosh shtëpinë e tjetrit, s’ka dhunim më të madh. Në asnjë rrethanë nuk pranoj të filmohet njeri pa proces ligjor”, - ka thënë Berisha. Duke folur mbi ngjarjet tragjike ndodhur pothuajse një vit më parë në Gërdec, Kryeministri Berisha tha se ishte “plotësisht i parandalueshëm”. Ai theksoi se qeveria ka nxjerrë të gjitha përgjegjësitë e saj në kohën dh momentin e duhur. Berisha deklaroi se ka kërkuar nga organi i Prokurorisë të zbardhë gjithë të vërtetën dhe të nxjerrë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje. Ai ka bërë me dije se i ka kërkuar kryeprokurores Ina Rama në zyrën e tij se do të gjente të gjitha lehtësitë për të përmbushur misionin e saj, pasi qeveria është e para që të bëhet drejtësi. Duke u ndalur në raportet me Prokurorinë, Kryeministri Berisha tha se marrëdhëniet janë thjesht dhe vetëm institucionale. Të njëjtin vlerësim dha edhe për raportet që ka aktualisht me Presidentin e Republikës Bamir Topi, të cilit i lëshoi një shigjetë thumbuese. “Marrëdhëniet me Presidentin janë institucionale. Kur tentoi të krijonte minoranca bllokuese brenda mazhorancës, dështoi”, - theksoi Berisha. Kryeministri Berisha është ndalur dhe në luftën kundër korrupsionit. Ai deklaroi se gjatë viteve të fundit është bërë e mundur ndalimi i shumë zyrtarëve të administratës shtetërore. Ai theksoi se përmes luftës së madhe kundër korrupsionit, kryesisht në taksa dhe tatime, është bërë e mundur që në arkat e shtetit të futen 3.2 miliardë dollarë më shumë, që janë konvertuar në rritje rrogash, pensionesh, investime në infrastrukturë etj. Megjithatë, kryeministri Berisha pohoi se ky fenomen vazhdon. “Nuk kam thënë kurrë se do ta çrrënjosim korrupsionin, se këtë nuk e thotë dot njeri. Prapë them se ka korrupsion, por beteja do të shkojë më tej”, - deklaroi Berisha. Ndërsa në lidhje me sistemin e drejtësisë ai tha se nuk ka asnjë konflikt politik me të.

Statusi i kandidatit

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se qeveria do të paraqesë kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian në bashkërendim të plotë me presidencën e radhës të BE-së. “Nuk do të ndërmarrim asnjë hap pa u konsultuar dhe pa pasur bashkërendimin me presidencën e BE-së”, - deklaroi ai. Kreu i qeverisë ka pohuar se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë shumë të rëndësishme në këtë aspekt.

Pronat dhe ish-të përndjekurit

Kryeministri Berisha ka pohuar se problemi i pronës është madhor. Ai tha se qeveria e tij ka me ardhjen në pushtet u përball me një mal falsifikimesh. “Po punojmë të shembim këtë mal”, ka thënë ai. Berisha tha se tashmë janë evidentuar 4 mijë hektarë troje, të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve. Në lidhje dëmshpërblimin me ish-të përndjekurit, Berisha tha se janë hasur probleme me dokumentacionin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›