Hipoteka dhe KLSH-ja, raport të njëjtë për shkeljet në regjistrime
KLSH-ja publikoi dje raportin e shkeljeve të ZQRPP-së, kur ajo drejtohej nga Alket Shpendi. Hipoteka: Këto shkelje i kishim denoncuar dhe ne. Shpendi u pushua nga Qirjako
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka raportuar një sërë shkeljet të gjetura Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, gjatë periudhës nga viti 2005 deri në 2007-ën. Sipas raportit të KLSH-së, shkeljet më të rënda janë bërë në kohën kur hipoteka drejtohej nga Alket Shpendi. Ndërkohë ZQRPP-ja ka reaguar dje nëpërmjet një deklarate për shtyp për raportin e KLSH-së, duke bërë të ditur se shkeljet e shënuara në raport ishin denoncuar më parë prej tyre. Në deklaratë ZQRPP-ja vëren se KLSH-ja, megjithëse e ka bazuar raportin në shkeljet e konstatuara më parë nga ana e tyre, nuk e ka pasqyruar të plotë kontrollin e ushtruar nga sektori i Kontrollit Tekniko-Ligjor pranë ZQRPP-së.
Zëdhënësi i KLSH-së, Edvin Morava ka bërë publike dje në një konferencë për shtyp shkeljet e konstatuara në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal për ish-drejtorin e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Alket Shpendi. Ish-drejtuesi i ZQRPP-së, Alket Shpendi, ka drejtuar hipotekat pak kohë pasi është larguar nga kjo detyrë Edlir Vokopola. Shpendi ka qenë për 6 muaj kryeregjistrues, ndërsa pasi ka ardhur në këtë post Arben Qirjako e ka shkarkuar atë nga detyra. KLSH-ja ka konstatuar abuzime në regjistrimin e pronave gjatë kontrolleve të ushtruara. Por ndaj konstatimeve të KLSH-së ka reaguar menjëherë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Hipotekat deklarojnë se raporti nuk është i plotë. Madje, sipas këtij institucioni, raporti i KLSH-së bazohet mbi raportet që ka kryer vetë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nëpërmjet sektorit teknik të saj. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar abuzime edhe në Drejtorinë e Tatim-Taksave në Tiranë, në vlerën e 630 milionë lekëve. Abuzime janë konstatuar edhe në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, në vlerën e 17.5 milionë lekëve, kryesisht në zhvillimin e tenderave.
Sipas raport të KLSH-së, në 4 raste, ish-kryeregjistruesi (Shpendi) ka miratuar regjistrime të veçanta për një sipërfaqe prej 64.000 m2 për ish-specialistë të NB Frutore, në Bashkinë Patos, ku ligji e ka përjashtuar dhënien në pronësi të tokës bujqësore për ish-specialistët për tokat bujqësore, të cilët kanë të drejte "të lidhin vetëm kontratë qiraje, ndërsa në 5 raste "Aktet e marrjes së tokës në pronësi" u janë dhënë ish-punonjësve dhe ish/specialistëve të NB-ve. Raporti i KLSH-së ka konstatuar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në zonën kadastrale - Komuna Dajt, raste
për një 'sipërfaqe prej 323.490 m tokë' "Pyll" në zonën kadastrale Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe dhe Babrru, të kthyer me vendim të ish-komisionit të kthimit të pronave Tiranë, ku vërtetësia e pronës së 'pretenduar nga subjekti i shpronësuar është mbështetur në vërtetime të falsifikuara. Janë konstatuar raste për një sipërfaqe prej 672.240 m2 "Pyll", Komuna Dajt, ku janë regjistruar vendime të ish-komisionit të kthimit të pronave Tiranë, në të cilat vërtetësia e pronës së pretenduar nga subjekti i shpronësuar nuk është mbështetur në dokumentin kadastral ku të vërtetojë pronësinë para Reformës Agrare të vitit 1946. Po kështu raporti i KLSH-së, ka konstatuar se në zonën kadastrale 2380, fshati Lanabregas, është regjistruar pronë në regjistrat e hipotekës me mbivendosje pasurie me sipërfaqe rreth 45.000 m2 "Pyll", me vend ndodhje Mali i Dajtit si dhe në zonën kadastrale 2460, fshati Linzë, është bërë regjistrimi fillestar i sipërfaqes prej 9.100 m2 toke' "Truall" brenda territorit ushtarak, dhe mbi këtë sipërfaqe të kthyer janë marrë gjithsej 4 vendime për njohje dhe kompensim prone në favor të trashëgimtareve të ish-pronarëve të tjerë, duke krijuar mbivendosje pronash. Shkelje janë konstatuar në zonën kadastrale 2380, fshati Lanabregas, ku janë konstatuar raste për një 'sipërfaqe prej 7.680 m2 "Arë", janë pajisur me certifikatë pronësie jo sipas "Aktit të marrjes së tokës në pronësi (AMTP)" (dokumentit ligjor), por sipas sipërfaqeve që disponon pronari.
Ndërsa në zonën kadastrale - Komuna Kashar, KLSH-ja konstatoi se në zonën kadastrale 2679, fshati Mëzez, është regjistruar sipërfaqja prej 1.050 m2 "Truall", pa pasur më parë një dokument ligjor, por vetëm me një "vërtetim të faktit juridik të ndërtimit të 'një ndërtese me dy kate si dhe në zonën kadastrale 2679, fshati Mëzez, është regjistruar një pikë karburanti, pa leje ndërtimi dhe jashtë sipërfaqes së sheshit të ndërtimit, pasuri e një shtetasi tjetër duke krijuar jo vetëm mbivendosje pronash, por i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dem pasuror dhe financiar prej rreth 19.8 milionë lekë. Në zonën kadastrale 3866, fshati Yzberisht, në 31 raste me sipërfaqe prej 159.540 m2 tokë bujqësore, janë regjistruar kalime të pronës nga "shtet" në pronë private me dokumentacion të ardhur direkt nga Komuna Kashar me akte të marrjes të tokës në pronësi "Dublikatë" pa konfirmim nga Këshilli i Qarkut Tiranë.
Ndërkaq në reagimin e ZQRPP-së, theksohet se “raporti i KLSH-së nuk ka nxjerrë si konkluzion dëmet financiare që i janë shkaktuar shtetit shqiptar nga kjo veprimtari në kundërshtim me ligjin, çka KLSH-ja e ka detyrë parësore ta bëjë. Gjithashtu, KLSH-ja nuk ka lënë asnjë porosi për të ndërmarrë nisma ligjore, të cilat do të normonin procesin e regjistrimit të pasurisë dhe do të pengonin regjistrimin e paligjshëm të titujve të pronësisë. ZQRPP-ja njofton opinionin publik se brenda një viti, në funksion të reformimit të institucionit janë ndërmarrë nisma ligjore dhe reforma të brendshme, të cilat KLSH-ja për shkak të paaftësisë profesionale nuk i ka propozuar kurrë”.
BOX
Shkeljet që ka çuar në prokurori zyra e hipotekave
Gjatë vitit 2008 ZQRPP-ja ka dërguar në prokurori mbi 20 praktika vetëm nga ZRPP-ja Tiranë dhe mbi 60 praktika nga të gjitha ZRPP-të vendore. Ndërkaq, punonjësit e përmendur nga KLSH-ja janë shkarkuar nga puna përpara se KLSH-ja të ushtronte kontrollin, ndërsa në total numri i personave të larguar nga puna për shkak të shkeljeve ligjore është shumë herë më i madh. Sipas njoftimit të ZQRPP-së, KLSH-ja ka vërejtur shkelje që kanë të bëjnë me mbivendosjen e pasurive, ndërsa është ZQRPP-ja ajo që ka zbuluar këtë fenomen dhe ka propozuar draftin ligjor, i cili tashmë është ligj, për të normuar këtë proces. Aktualisht me dhjetëra kërkesa të qytetarëve për fshirjen e mbivendosjeve janë në përpunim e sipër, ndërsa dhjetëra qytetarë të tjerë tashmë kanë marrë përgjigje. Zyra e hipotekave nënvizon se është zbuluar fenomeni i regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi me anë të dublikatit dhe të gjitha këto regjistrime janë pezulluar, ndërsa është lëshuar urdhër nga kryeregjistruesi që të mos regjistrohet asnjë akt i marrjes së tokës në pronësi pa pasur konfirmimin nga Qarku. Brenda një viti ZQRPP-ja ka bërë të mundur inventarizimin e dokumentacionit në shumicën e ZRPP-ve, ndërsa vazhdon puna me ritme të larta në ZRPP-të me volum të madh dokumentacioni. ZRPP-të kanë funksionuar deri tani me një rregullore të vitit 1999, ndërkohë që legjislacioni për regjistrimin e pasurive ka ndryshuar disa herë gjatë këtyre viteve. ZQRPP-ja ka ndërmarrë vetë nismën e hartimit të rregullores për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe brenda shtatorit ajo do të jetë efektive. ZQRPP-ja po punon me informatizimin e plotë të sistemit të regjistrimit të pasurive dhe skanimin e të gjithë dokumentacionit, me qëllim përmirësimin e të dhënave të regjistrimeve në vite dhe përshtatjen e tyre me sistemin e fundit GIS. ZQRPP-ja po kryen gjatë këtij viti regjistrimin fillestar në 14 zona kadastrale dhe në vitet në vijim synohet që të përfundojë i gjithë procesi. ZQRPP-ja ka ndërmarrë edhe një sërë reformash të tjera, por që nuk kanë lidhje me rekomandimet e KLSH-së. Së fundmi, ZQRPP-ja është e hapur për kontrolle të vazhdueshme dhe do të tregojë gatishmëri për të bashkëpunuar me KLSH-në në çdo moment për të evidentuar të gjitha shkeljet e mundshme.