E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Jemi larg përballjes me korrupsionin në të gjitha fushat”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se "një bashkëpunim i ngushtë me organizatat e shoqërisë civile në monitorimin e luftës kundër korrupsionit do ta bëjë këtë luftë më eficente". Këshilli i Ministrave ratifikoi marrëveshjen e grantit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe SHBA-së, të objektivit strategjik për të luftuar korrupsionin, në kuadër të programit fillestar të vlerësimit të Sfidës së Mijëvjeçarit. Kryeministri Berisha e konsideroi me rëndësi të jashtëzakonshme fazën e dytë të këtij programi, ku vendoset “One Stop Shop” për licencat dhe lejet e mbetura. “Ne vendosim “One Stop Shop” për licencat dhe lejet e mbetura, pas heqjes së dy të tretave të tyre. Studimet e kësaj praktike kanë faktuar se ajo ka ulur rreth 9 deri në 10 herë korrupsionin dhe ka shkurtuar shumë herë kohën e zvarritjes burokratike”, - u shpreh Kryeministri. Berisha tha se ky projekt ka një rëndësi të jashtëzakonshme për luftën kundër korrupsionit, të cilën e cilësoi një luftë të vazhdueshme dhe të pandërprerë. “Betejën e kemi fituar, por lufta vazhdon dhe ne do të mund ta fitojmë këtë luftë. Fitorja e kësaj beteje nga qeveria shqiptare ka pasur jehonë botërore. Në një konferencë ndërkombëtare në Bruksel, takova themeluesin e “Transparency International”, i cili iu shpreh pjesëmarrësve se ka qenë një rezultat shumë i ndjeshëm. Por absolutisht ai përbën vetëm atë që e kam shprehur edhe më parë, daljen nga gjysma e natës në gjysmë të dritës. Ndaj duhet të vazhdojë me të gjithë potencialin tonë”, - u shpreh Kryeministri. “Korrupsioni, është një ajsberg i vërtetë. Ne po merremi vetëm me fushën publike dhe nuk mund të spostohemi për asnjë moment, por dimensionet e tij janë në të gjithë sektorët, në përballjen me të cilat ne jemi ende larg”, - u shpreh Kryeministri. Berisha u shpreh për domosdoshmërinë e plotësimit të të gjithë legjislacionit në këtë drejtim, në veçanti nenet antiryshfet ndaj kompanive vendase dhe të huaja. “Ne i kemi ratifikuar konventat, por duhet të bëhen të gjitha plotësimet në legjislacionin tonë, në mënyrë të veçantë nenet antiryshfet ndaj kompanive vendase dhe të huaja. Konventat ndërkombëtare kanë efekt kudo. Në të gjitha procedurat që ne mbulojmë, duhet të ketë një kriter themelor të vështrimit të tyre, kriteri antikorrupsion”, - u shpreh Kryeministri. “Ne duhet të mendojmë për një sistem të fortë e të konsoliduar të monitorimit dhe ky sistem kalon nëpërmjet shoqërisë civile. Ajo ka meritën e zhvillimit të aftësive të domosdoshme për të përmbushur misionin, ka meritën e dytë të madhe që ka dialogun, hapjen dhe pavarësinë. Një bashkëpunim i gjerë me këto organizata, në një nivel që nuk ka ekzistuar ndonjëherë, do të mund ta bëjë luftën kundër korrupsionit në Shqipëri shumë më eficente. Shteti, - u shpreh Kryeministri, - e ka jetik monitorimin e luftës kundër korrupsionit. Faktohet se nuk ka monitor më të mirë, sesa media e shoqëria civile. Por këtu, mediat janë biznes, të pleksura keq, pasi drejtuesit e saj janë edhe drejtorë, edhe biznesmenë. Por sërish nuk ka vend për t u dëshpëruar. Ka vend që të jemi aktivë, në mënyrë që të konsolidohet i gjithë mekanizmi i monitorimit të rreptë të shtetit, të qeverisë, administratës, gjyqësorit, Parlamentit dhe të gjitha institucioneve. Kjo është transparencë ndaj publikut. Publiku duhet të ketë syrin e vet edhe nëpërmjet organizatave të pavarura që janë ato të shoqërisë civile. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të ridimensionuar mbikëqyrjen ndaj të gjitha veprimtarive publike dhe gradualisht, duke u aftësuar shoqëria civile, bëhet edhe monitori më i mirë edhe i korrupsionit në sektorin privat, gjë të cilën në një farë mënyre ajo e bën. Zëra të herëpashershëm ekzistojnë, por duhet të strukturohen dhe konsolidohen”. Berisha bëri të ditur se qeveria do të bëjë disponibël fondin e përcaktuar për shoqërinë civile në këtë drejtim. “Në qoftë se ka një fushë ku qeveria duhet të financojë kundër vetes së saj, është kjo fushë. Qeveria duhet të financojë për ta mbajtur nën vëzhgim të rreptë, sepse ky është interesi më i mirë i saj dhe i publikut dhe vëzhgim të rreptë mund të vendosë shoqëria civile”, - përfundoi Kryeministri.
Ky lajm është publikuar: 20/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›