E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: “Abuzoi me të mitur, 20 vjet burg”

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Dënohet me 20 vjet burg Xhon David Braun, pasi u gjet fajtor për abuzime seksuale me të mitur në qendrën “Fëmijët e tij”. Gjykata ka gjetur fajtor britanikun për abuzime me dy të mitur në fondacionin e drejtuar prej tij. Burime nga gjykata e Tiranës bëjnë të ditur se ai është cilësuar nga gjykata si person me rrezikshmëri të lartë dhe jo vetëm që duhet ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, por kur ta përfundojë atë, ai është “person non grata” në Shqipëri.
Vendimi
Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor drejtuesin e fondacionit anglez “Fëmijët e tij”, David Braun, për akuzën e “marrëdhënieve homoseksuale me të mitur”. Burime nga togat e zeza bëjnë të ditur se 57-vjeçari anglez do të vuajë dënimin me 20 vjet burg në një burg të sigurisë së lartë dhe më pas do të dëbohet si “person non grata”. Gjykata jep verdiktin: David Braun, shtetasi anglez, “babai” i fondacionit “Fëmijët e tij”, do të vuajë 20 vjet burg dhe më pas do të dëbohet nga Shqipëria si person i padëshiruar. Burime nga gjykata bëjnë ditur se 57-vjeçari, i cili pretendonte se kishte ardhur në Shqipëri për të ndihmuar fëmijët shqiptarë, u deklarua fajtor për veprën penale të marrëdhënieve homoseksuale me të mitur. Pasi të kryejë dënimin në një burg të sigurisë së lartë - sipas vendimit të gjykatës - shtetasi anglez do të dëbohet nga Shqipëria si “person non grata”. Kjo kërkesë ishte paraqitur në gjykatë nga prokurori i çështjes Kolë Hysenaj. Një seancë më parë, më 5 nëntor, i pandehuri Braun i kërkoi trupit gjykues dhënien e një vendimi të drejtë, duke deklaruar se në asnjë rast nuk kishte abuzuar seksualisht me të miturit e qendrës “Fëmijët e tij”.
Prokuroria
Prokuroria e Tiranës kërkoi pak ditë më parë dënimin me 20 vjet burg për shtetasin anglez David Braun, i cili akuzohet për abuzime me të mitur. Burime nga organi i gjyqësorit bëjnë të ditur se përfaqësuesi i organit të akuzës lexoi konkluzionet përfundimtare të hetimit ndaj këtij shtetasi, duke kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin e tij me burg. Gjithashtu, prokuroria kërkoi që i pandehuri Braun të izolohet në një burg të sigurisë së lartë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se seancën e radhës pritet të dëgjohen pretendimet e palës mbrojtëse dhe më pas Gjykata e Shkallës së Parë do të shpallë vendimin përfundimtar për këtë çështje. Burime nga Prokuroria pohojnë se David Braun është arrestuar nga Policia e Tiranës si i dyshuar për abuzime seksuale me femijët në ish- qendrën bamirëse "Fëmijët e tij", që kishte nën administrim disa vite më parë në Tiranë". Në proces gjykimi për këto abuzime janë edhe dy shtetas të tjerë anglezë, të cilët janë marrë me cilësinë e të pandehurit si bashkëpunëtorë të David Braunit.

Dëshmia e të miturit

Një e mitur dëshmoi me video-konferencë në seancën e djeshme në ngarkim të David Braunit, zhvilluar me dyer të mbyllura. Burimet nga gjykata bëjnë të ditur se dëshmitarja kishte jetuar në qendrën “Fëmijët e tij”. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në procesin penal ndaj britanikut David Braun, i akuzuar për marrëdhënie homoseksuale me të mitur, vajza ka pohuar se e njihte Braunin, por nuk ka mundur të japë detaje në lidhje me objektin e gjykimit. Dëshmitarja e mitur u thirr në proces nga pala mbrojtëse. Ndërkaq gjatë procesit, i pandehuri Braun, hoqi dorë nga kërkesa që t i nënshtrohej ekspertizës mjekoligjore për të provuar nëse ishte i prekur me Hepatit B, sëmundje me të cilën është diagnostikuar një prej fëmijëve të abuzuar seksualisht
Ky lajm është publikuar: 20/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›