E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina zyrtare: Do kemi njohje të shpejta nga Shkupi e Podgorica

 

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u shprehën të bindur, se Maqedonia dhe Mali i Zi do ta njohin Kosovën shumë shpejt, duke vlerësuar se njohja e Kosovës nga këto dy vende do të ndikojë në dinamikën e tërë procesit të njohjes së Kosovës. Pas takimeve të ndara me shefin e ri të misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer, Sejdiu dhe Thaçi u shprehën se njohja e Kosovës do të vazhdojë, ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia shumë shpejt do ta ndërmarrin një hap të tillë. Presidenti Sejdiu tha se njohja nga vendet e ish-Federatës Jugosllave ka një rëndësi të veçantë për gjithë procesin e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. “Është një përgjigje e mirë posaçërisht nga vendet që tashmë janë sovrane, me të cilat kemi qenë në një bashkësi shtetërore, e cila është shkatërruar dhe nuk ekziston më. Prandaj, ne e çmojmë rolin e veçantë që do të ketë Maqedonia në këtë rast, si edhe Republika e Malit të Zi, si dhe e çmojmë po ashtu këtë ecje praktike të relacioneve të mira që kemi pasur deri tash”, tha Sejdiu i bazuar në takimet që ka mbajtur në Nju Jork me presidentët e këtyre vendeve, duke shtuar se nuk i takonte atij që ta thotë datën se kur do të merren këto vendime, por se do të ndodhte shpejt. Edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se “Njohjet e reja do të ndodhin në të ardhmen shumë të afërt, njohje që do të jenë kontribuuese për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon, që do të jenë në të ardhmen jo të largët edhe për të mirën e vetë Serbisë”. Kosova është njohur deri më tani nga 47 vende duke i zhgënjyer pritjet në Prishtinë, ku autoritetet besonin se ky numër do të ishte shumë më i madh, por vlerësohet se një ndikim në ngadalësimin e njohjeve kanë luajtur diplomacia ruse dhe ajo serbe, që kundërshtojnë ashpër pavarësimin e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›