Debati, fiton përvoja e Biden, por Pelin performoi pa gafa
Kandidatët për zëvendëspresident në Shtetet e Bashkuara u përballën për herë të parë në një debat televiziv, ku sipas sondazheve pikët maksimale i fitoi përvoja e senatorit demokrat, Xho Biden. Megjithatë edhe Sarah Pelin, kandidatja që garon përkrah republikanit Mekein, nuk ka dalë e humbur nga debati. Shumica e atyre që ndoqën përballjen televizive besojnë se Pelin u paraqit më mirë sesa pritej. Asnjë nga kandidatët, përkundër asaj që besohej, nuk bëri gafa gjatë qëndrimit prej 90 minutash në studio, të ndjekur nga miliona spektatorë. Debati nisi me ekonominë, ku Sarah Pelin fajësoi institucionet financiare për kreditë e dhëna pa kriter dhe premtoi, se Mekein ishte njeriu i duhur që do të bënte ndryshimin. Ndërsa Biden i drejtoi kritikat e tij në politikën e dështuar financiare të administratës republikane gjatë tetë viteve të fundit. Biden tha se politika e demokratëve ishte ulja e taksave për klasën e mesme dhe jo të lartë. Por Pelin premtoi uljen e taksave për të gjithë. Kandidatët u takuan vetëm në një pikë, në qëndrimin e tyre kundër martesave homoseksuale. Në politikën e Jashtme, Biden kritikoi qëndrimin e SHBA në Irak dhe e konsideroi të dështuar ndërhyrjen e Bushit. Ndërsa Pelin tha se ushtria amerikane po shënonte fitore në Irak dhe askush nuk mund ta mohonte këtë. Sipas CNN 51 për qind e shikuesve të debatit thanë, se më mirë në debat u paraqit Biden, ndërsa 36 për qind votuan Pelin. Megjithatë, guvernatorja e Alaskës i kapërceu parashikimet, ndërsa 84 për qind e shikuesve të debatit thanë, se ajo performoi më mirë sesa pritej.