E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Jo rritje page për Kryeprokuroren Ina Rama

Ina Rama nuk përfiton nga rritja e pagave që përfshin institucionin e prokurorisë. Me argumentin se ajo mund të paguhet më mirë se një ministër, por jo më shumë se kryetari i Gjykatës së Lartë. Kreu i organit të akuzës nuk do t’i ndryshohet paga mujore deri në fund të mandatit të saj. Këtë e bëri dje të ditur Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, teksa po fliste për draftin e ri të organit të prokurorisë. Duke u ndalur tek paga e Kryeprokurores Ina Rama, Kryeministri informoi se pavarësisht çfarë thotë ligji, znj. Ina Rama do ketë pagën aktuale deri në fund të mandatit të saj. Berisha mësohet të jetë shprehur në prani të deputetëve të tij dhe pa praninë e mediave se “Kryeprokurori mund ta ketë rrogën më të lartë se të ministrit, por jo më të lartë se të kryetarit të Gjykatës së Lartë”. Gjithsesi, në mbledhjen e djeshme të grupit të mazhorancës, Berisha u ndal tek drafti i qeverisë për funksionimin e organit të akuzës. Kryeministri lajmëroi se ligji i ri do t’i nënshtrohet një procesi konsultimesh. "Kushtetuta e këtij vendi është sikundër të gjitha kushtetutat e vendeve të tjera. Autorizimi i ligjeve dhe reformave ia përcaktojnë qartë mazhorancës dhe qytetarëve dhe këtu nuk mund të ketë iluzione se do ketë përjashtime. Natyrisht konsultimet janë dhe mbeten të domosdoshme me të gjitha grupet e interesit", - u shpreh Kryeministri. Z. Berisha gjithashtu siguroi zërat kundër se ligji për prokurorinë që është duke u përgatitur është sipas standardeve të kërkuara. Berisha mohoi çdo përpjekje të qeverisë për të vënë nën kontroll edhe këtë organ të pavarur. Kryeministri u shpreh se janë dhe një seri ligjesh shumë të rëndësishme në kuadrin e MSA-së, të cilat duhet të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur në Parlament. “I tillë është ligji për prokurorinë, i cili, ju siguroj se pavarësisht nga komentet, do të jetë i standardeve më të mira, sepse kjo mazhorancë është thellësisht e përcaktuar për standarde demokratike”, - theksoi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›