E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti PD-PS për reformimin e sistemit të drejtësisë

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë arritur të miratojnë një Pakt Kombëtar për Drejtësinë. Realizimi i kësaj aspirate do të prekë pikat kryesore të sistemit të drejtësisë. Reformimi i gjyqësorit, organizimi gjyqësor, funksionet e gjyqtarit, qeverisja e gjyqësorit, reformimi i prokurorisë, financimi i sistemit të Drejtësisë, zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve, raporti i sistemit gjyqësor shqiptar me gjykatat evropiane, si dhe arsimimi juridik i nevojshëm. Palët janë angazhuar që këtij pakti t’i shkojnë deri në fund, duke dhënë garanci konsensusin si dhe presionin që Bashkimi Evropian ka për Shqipërinë në realizimin e reformave kyçe. Nëpërmjet ndryshimeve ligjore do të kërkohet të realizohet ruajtja e të drejtave themelore të njeriut, të sistemit demokratik, ekonomisë së tregut, sigurisë shoqërore etj. Organizimi i gjyqësorit pritet që të ketë një tjetër disiplinë. Parashikohet krijimi i gjykatave administrative si dhe një profilizim të Gjykatës së Lartë me tri juridiksione si civile, administrative dhe penale. Parashikohet edhe një projektligj për administratën gjyqësore, i cili do të mundësojë forcimin e kësaj administrate. Statusi i gjyqtarit do të ketë një tjetër dimension. Ligji do të ketë të sanksionuar konkurrencën në përzgjedhjen e kandidatëve për magjistratë e gjyqtarë, duke u bazuar në kritere objektive e transparente. Do të synohet përcaktimi i kritereve e procedurave përzgjedhëse të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, me qëllim që shumica e tyre të vijnë nga gjyqtarët e karrierës në dy shkallët e tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›