E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Reforma në drejtësi, qeveria dështoi

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, vlerësoi dje se qeveria shqiptare ka dështuar në bërjen e reformës në drejtësi. Duke iu referuar projektligjit për prokurorinë, Meta tha se ai është një tjetër konkretizim i filozofisë autoritariste dhe autokratike që kjo qeveri ka nisur që në natën e 21 prillit kur u miratuan ndryshimet kushtetuese. “Shqetësues është veçanërisht fakti se kjo qeveri nuk ka asnjë ndjeshmëri ndaj këshillave dhe vërejtjeve të vazhdueshme të partnerëve tanë ndërkombëtare, të BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së, që tashmë po iu bien fort kambanave të alarmit për qëllimet e mbrapshta uzurpuese të qeverisë ndaj gjyqësorit”, - tha kreu i LSI-së. Ai vuri në dukje se reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore janë sfidë për gjithë klasën politike të vendit dhe si të tilla nuk mund të realizohen si monopol i një force politike, dhe me një mungesë të theksuar të transparencës. “Ato nuk e realizuan në asnjë element të tyre përpara ftesës për në NATO, gjë që ishte kërkuar prej partnerëve tanë, dhe mesa duket, nuk do të realizohen as gjatë kësaj legjislature pavarësisht premtimeve të rreme të Kryeministrit Berisha. Ne nuk kemi besim se Sali Berisha mund t’i japë vendit reforma për një sistem gjyqësor të pavarur e profesional, ashtu siç nuk besojmë se ai mund të zhvillojë dhe të garantojë zgjedhje te lira e të ndershme”, - shtoi më tej kryetari i LSI-së.

Në këtë pikë, ai ftoi gjithë opozitën në një qëndrim të përbashkët, që të përdorë gjithë mjetet parlamentare e ligjore në mbrojtje të pavarësisë të sistemi gjyqësor që ai të mos uzurpohet nga revanshizmi i Sali Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›