E Diel, 1 Nëntor 2026

Pritet ndryshim i riorganizimit të funksionimit të kësaj policie

Reforma në drejtësi do të prekë edhe mënyrën e funksionit të Policisë Gjyqësore. Kjo polici, një hallkë e rëndësishme në dhënien e drejtësisë, pranohet nga të gjitha palët se ka probleme, duke bërë që rezultatet të mos jenë të kënaqshme. Në këtë kuadër, Kuvendi pritet që në diskutimet e radhës për reformën në drejtësisë, të prekë edhe çështjen e kësaj policie, ku do të arrihet edhe ndryshimi i ligjit të funksionimit të saj. Ndryshimet në ligj do të vendosin që policët dhe agjentët gjyqësorë do të organizohen në departamente të veçanta, do të hetojnë aktet penale deri në fund të tyre, do të ketë një sistem karriere të re, e shoqëruar me piramidë pagash, si dhe do të forcohet më tej kontrolli administrativ, me qëllim shndërrimin e kësaj policie në “Pretoriane” të institucioneve. Aktualisht Policia Gjyqësore funksionon në bazë të një ligji të veçantë, pjesë e përvojës italiane. Gjatë punës në terren, prokurorët, Policia e Shtetit dhe vetë policët dhe agjentët gjyqësorë kanë hasur probleme kryesisht në kompetencat e tyre, por edhe për sa u përket hetimeve.

Diskutimet paraprake për reformimin e kësaj policie kanë vendosur që ajo të ketë një status tjetër, që do t’i japë më shumë pavarësi, sistem karriere ndryshe, mjete pune dhe financë, si dhe një ripërcaktim të kompetencave të kësaj policie. Pritet që të përcaktohen qartë kompetencat e kësaj policie në kuadër edhe të funksioneve procedurale të saj. Mënyra e hetimit dhe menaxhimit të tij, aktet e procedimit penal, kontrolli administrativ nga strukturat drejtuese nga baza e deri në qendër, do të jenë pjesë e rishikimit në ligj. Sipas vlerësimeve të deputetëve, në hetimet e veprave penale, krahas shërbimeve të Policisë Gjyqësore janë të organizuara dhe funksionojnë edhe seksionet e kësaj policie. Sipas ligjit në fuqi, seksionet e Policisë Gjyqësore janë ngritur pranë çdo prokurorie në rreth. Numri i këtyre oficerëve dhe nënoficerëve, agjentët e kësaj policie, caktohen nga Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme.

Në përbërje të këtij sesioni bëjnë pjesë një e katërta juristë, të cilët emërohen direkt nga Kryeprokurorja. Pjesa tjetër përbëhet nga oficerë dhe nënoficerë që paguhen në Ministrinë e Brendshme, Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatimeve ose të çdo polici tjetër që ka atributet e Policisë Gjyqësore. Policët gjyqësorë pavarësisht se nga kush institucion paguhen, duhet të merren vetëm me hetim dhe janë në varësi të Prokurorisë së Rrethit. Në fakt seksioni i kësaj policie është krijuar, nisur edhe nga eksperienca e vendeve të tjera, si pjesë mbështetëse e Prokurorisë për të hetuar ato procese që çmohen nga prokurori dhe kryesisht kallëzimet që dërgohen nga institucionet qendrore ose lokale ku nuk ka Polici Gjyqësore. Si rregull rreth 80 për qind e rasteve të procedimeve penale duhet të hetohen nga shërbimet e Policisë Gjyqësore, ndërsa pjesa tjetër nga seksioni i kësaj policie. Në praktikë, sipas vlerësimit të deputetëve, po ndodh e kundërta, pra që shërbimet e Policisë Gjyqësore të kryejnë vetëm disa hetime të thjeshta hetimore që më pas i dërgojnë rezultatet prokurorit, i cili më vonë ngarkon me hetim oficerët e seksionit. Kjo gjendje ka krijuar që oficerët e kësaj policie t’iu largohen hetimeve dhe procesit të tij dhe nuk marrin përsipër hetimet e thella dhe investiguese. Duke pasur parasysh këtë praktikë pune, do të procedohet edhe me ndryshimin e ligjit përkatës. Fillimisht do të kërkohet që kjo polici të ketë kushte më të mira pune, pra zyra dhe mjete të sofistikuara hetimi. Do të kërkohet që krijohet edhe sistemi i statistikës. Policia Gjyqësore do të ketë një riorganizim të saj edhe në seksionet që ka ajo nëpër institucione dhe rritjen e prezencës së saj në institucionet ku nuk është e pranishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›