Ramazani, Topi e Berisha, mesazh besimtarëve myslimanë
Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha iu drejtuan dje besimtarëve myslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, duke iu uruar atyre një agjërim të lehtë, mbarësi e begati në familjet e tyre. Në mesazhin e tij të urimit, kreu i shtetit thekson se “përgjatë këtij Muaji të Madhërueshëm, solidariteti dhe mirësia njerëzore arrijnë kulmin e tyre, duke na afruar e bërë më të gjindshëm me njëri-tjetrin, e duke ndarë jo vetëm gëzimin e besimin në vlerat fetare e njerëzore, por edhe duke kremtuar festat së bashku, pavarësisht besimeve të ndryshme”. Presidenti Topi nuk harron të përmendë në urimin e tij tolerancën dhe harmoninë fetare, të cilat “e kanë shndërruar kombin shqiptar në një shembull të rrallë anembanë botës të vlerave sa njerëzore aq edhe shpirtërore”. Edhe Kryeministri Sali Berisha përshëndet dje në ditën e parë të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, duke shprehur nderimin e tij më të thellë për sakrificën e tyre, agjërimin, si një përkushtim i të gjithë besimtarëve myslimanë ndaj Zotit, mirësisë dhe mbarë shoqërisë.