E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, 15 familje strehohen në xhami

Autori i Lajmit: red.
Plot 15 familjet në qytetin e Bulqizës kanë mbetur të pastrehë si rezultat i shembjes që ka pësuar një pjesë e konsiderueshme e pallatit ku ata jetonin që prej vitit 1996. Mësohet se këta banorë janë gjetur në një tjetër prag tragjedie, pas asaj të 9 nëntorit të ndodhur vitin e shkuar në qytetin e Gjirokastrës. Me urdhër nga Bashkia e qytetit, të gjithë banorët u evakuan një ditë më parë për t i shpëtuar një tragjedie të mundshme. Myftiu i Bulqizës dhe ai Dibrës u kanë sigurar një vend strehimi në xhaminë e qytetit për një muaj, ndërkohë që nuk dihet ç do të bëhet për strehimin e mëtejshëm të tyre. Banorët i bëjnë thirrje qeverisë për marrjen e masave të menjëhershme.
15 fëmijët nga mosha 0 deri në 5 vjeç, strehohen aktualisht në një nga çerdhet e qytetit të Bulqizës, ndërsa të tjerët më të rritur në kopshte. Tarraca dhe pjesa e pasme e pallatit, të ndërtuar që prej vitit 1989, pësoi shembje të konsiderueshme duke rrezikuar seriozisht jetën e dy prej familjeve. Ky pallat u përdor për strehimin e oficerëve dhe pas viteve 90 shërbeu si strehim për 15 familje, të cilat jetonin në kushte tejet të vështira. Pas verifikimeve që do të bëhen nga specialistët, Bashkia e Bulqizës deklaron se pallati do të shembet përfundimisht. Alarmi i dhënë nga agonia në të cilin është përfshirë ky pallat, lë në mëshirë të fatit 15 familjet që kërkojnë një zgjidhje për këtë problem emergjent të tyre.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›