E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ju rrëfej raportin tim me vajzën, Argitën

Kryeministri Berisha flet për raportet e tij të vështira me Presidentin Topi, Protokollin e Shtetit, debatin për lejimin e shamisë në shkolla dhe kartat


TIRANË- Pavarësisht se Kryeministri Sali Berisha, e pohoi publikisht se baballarët ndikohen nga vajzat, apo burrat nga bashkëshortet, kur iu referua vetes, tha se kjo nuk ishte e vërtetë.

I pyetur dje, gjatë emisionit "Opinion", në TV "Klan", pikërisht për raportet e tij me vajzën, Argitën, dhe për faktin se sa ka ndikuar ajo në vendimet e të atit, Berisha u përgjigj: "Raporti im me vajzën është një raport, siç është i prindit me familjen.

Është një raport shumë i veçantë. Ka avantazh, se ka qenë edhe fëmija i parë. Ka avantazhin e një tradite familjare, që përparësi kanë pasur gratë më shumë se burrat. Por, vajza ime është në aktivitet privat. Në mënyrë absolute nuk merret kategorikisht me as edhe një aktivitet publik.

Mund ta angazhoja në aktivitet publik, dhe do ishte normale, por përzgjedhja e saj është aktiviteti privat, si studio ligjore.

Në këtë aspekt, ju garantoj që nuk ka as edhe një ndërhyrje, në as edhe një emërim të vetëm prej saj. Absolutisht! Shpeshherë, në fushën e saj, po të ishte në sektorin, publik do t'i kërkoja mendime. Ajo është marrë me të drejtën tregtare, por ndjek sektorin privat.

Unë nuk mbaj këshilltar privat. Kam këshilltarët e mi",- tha mbrëmë Berisha. Kreu i ekzekutivit ka vijuar me deklaratën e tij se, një opinion nga kushdo mund të jepet. "Ne po flasim për ndikimet. Nuk ka asnjë angazhim, as edhe një angazhim të vetëm në emërime",- shtoi ai.


Raportet me Topin


Edhe pse ka deklaruar se marrëdhëniet e tij me Presidentin e Republikës, janë korrekte dhe institucionale, Kryeministri Sali Berisha, në thuajse çdo pjesë të deklaratës së tij për këtë çështje, ka lënë qartë të kuptohet se mes tyre ka ftohje marrëdhëniesh.


Madje, Berisha, i pyetur për përbërjen e delegacionit në Samitin e NATO-s, ka deklaruar se në një Republikë Parlamentare, shef ekzekutivi është Kryeministri, dhe i takon këtij të fundit pjesëmarrja në një aleancë, ku merren pikësëpari vendime politike. "Deri sa të konsolidohen konceptet e Republikës Parlamentare, duhet të keni durim. Unë jam i duruar dhe s'kam humbje durimi.

Por s'mund të thoni që në një Republikë Parlamentare, shef ekzekutivi nuk është Kryeministri", - tha ai, duke kujtuar se në Samitin e NATO-s, ishin rreth 20 kryeministra. Kryeministri shtoi se, në republikat parlamentare, Presidenti ka funksione ceremoniale.

I pyetur se a do të ndikonte kjo ftohje mes tij dhe Topit tek zgjedhjet në PD, duke pasur parasysh se Topi ka qenë ndër njerëzit më të votuar dhe krahu i djathtë i tij për shumë vite, Berisha u përgjigj: "Larg çdo lloj mendimi se z. Topi, kjo mazhorancë, e votoi për qëllime elektorale. Është shumë i njohur fakti që në momentin që bëhesh President, del jashtë partie.

Kështu që, te qytetarët shqiptarë do të ndikojnë tërësisht programi që do t'ju paraqesë kjo mazhorancë". Kryeministri Berisha ka sulmuar sërish Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, duke e cilësuar si të keqpërdorur politikisht, por nuk ka sqaruar se nga kush, pavarësisht këmbënguljes së gazetarëve.


Kundër Topallit për protokollin


Kryeministri Sali Berisha ka përjashtuar në mënyrë kategorike ndryshimin e protokollit, të propozuar dy ditë më parë në një intervistë televizive nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Berisha ka deklaruar qartazi se protokolli nuk do të ndryshojë.

Por edhe pse në shkelje të protokollit, Kryeministri Berisha theksoi se kishte qene plotësisht dakord që në përbërje të delegacionit të ishin si Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ashtu edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.


Lejimi i shamisë në shkolla


Edhe pse një vend laik, Kryeministri Sali Berisha e ka lënë të hapur mundësinë e lejimit të vajzave me shami në shkolla. I pyetur, pikërisht për këtë çështje, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se, duhet të gjendet një zgjidhje.

"Për shkollat fillore ka një uniformë. Për universitetet nuk ka uniformë. Sado që e quaj laicizmin trashëgimi tonën, t'ua përplasësh derën pse vendosin shami nuk është zgjidhje ajo. Mendoje pak më tutje, ku e çon ti këtë fëmijë pa shkollë",- tha ai.


Kam shkruar 150 artikuj në një vit

Kryeministri Berisha ka deklaruar mbrëmë, gjatë emisionit "Opinion", se ai vazhdon të shkruajë artikuj pa emër në median e shkruar.

Madje, gjatë deklaratës së tij, teksa është pyetur për një titull në median e shkruar, se a ishte ndikuar nga ai, Berisha u shpreh: "Unë titullin nuk e kam pasion, unë shkruaj kur dua vetë, ndonjëherë me emër, ndonjëherë me pseudonim.

Nuk jam marrë me titujt. Unë, po të dua e bëj, por nuk e bëj sepse kam një koncept tjetër. Ka pasur një vit, që kam shkruar 150 artikuj, ca me emër, ca pa emër",- tha ai.

Masakra e Tivarit, ka lidhje Ramizin


Kryeministri Berisha ka vijuar dje sulmet ndaj Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, dhe ka preferuar ta bëjë këtë gjë, sa herë që pyetet për ish-të përndjekurit.

"Kujtesa kombëtare duhet të zhvillohet. Për të përndjekurit kemi vendosur një proces, i cili është në fillimet e tij. E filluam '92-'96-ën dhe e ndërprenë ata që erdhën në pushtet.

Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia, që ka firmë në ekzekutimin e 27 intelektualëve më të mirë të shoqërisë për bombën në Ambasadën Sovjetike dhe që u pushkatuan para gjyqit, u dëmshpërblyen nga ata që erdhën në '97-ën për ditët e burgut.

Aranit Çela, kryeprokurori famëkeq i diktaturës, u dëmshpërblye qindarkë më qindarkë për ditët e burgut",- tha ai. Më tej, Berisha vijoi se, ai nuk e kishte lexuar replikën e Ramizë Alisë ndaj tij. "Unë nuk e lexoj.

Pse nuk i bëni ju një pyetje atij për Masakrën e Tivarit? Ai di çdo gjë. Nuk janë transportuar nga Kosova, por të gjithë nga Morina e Kukësit dhe Shkodra. Pse nuk flet për to? Pse nuk flet Nexhmije Hoxha, që i di shumë mirë këto", -tha ai.

Liberalizimi i vizave, brenda 6 mujorit të parë

"Ai proces do të jetë fundi i këtij viti, ose gjashtëmujori i parë i vitit që vjen. Liberalizimi i vizave do jetë më i shpejtë", - tha Berisha, teksa u pyet për kohën e liberalizimit të vizave. Kryeministri Berisha ka deklaruar, gjithashtu, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që procesi i pajisjes së qytetarëve më karta të përfundojë me sukses.

Në këto kushte, ai ka shtuar se zgjedhjet parlamentare nuk do të shtyhen. "Zgjedhjet nuk i shtyj asnjë ditë. Po të doja të shtyhen zgjedhjet, Kushtetutës i bën interpretime. Zgjedhjet janë në kohë dhe do jenë shumë mirë",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›