Mirditë, rrihet barbarisht roja i sigurisë
PRONËSIA/ Ndue Gega u godit për shkak se pranoi të punonte rojë në tokën që u takonte atyre që e rrahën
Çelnik e Arjan Përshqefa, djem xhaxhallarësh, i kishin kërkuar Gegës që ta linte punën në kompaninë ndërtuese
MIRDITË - Punësimi si rojë në një pikë të kompanisë ndërtuese të autostradës Rrëshen-Kalimash i ka kushtuar shtrenjtë një banori nga fshati Bisakë i komunës Fan.
Pikërisht për këtë arsye, ndërsa banori i fshatit Bisakë, Ndue Gega, ishte punësuar në një pikë ruajtje materialesh të kompanisë amerikano-turke, pikë e cilë gjendej në tokën-pronë të një fshatari tjetër, ka bërë që të shpërthente sherri prej kohësh dhe parmbrëmë natën ky shtetas të qëllohej për vdekje me mjete të forta nga dy banorë të po këtij fshati Çelnik dhe Arjan Përshqefa, djem xhaxhallarësh, të moshës 21 e 26 vjeç.
Sherri ka nisur kohë më parë dhe kishte të bënte me pronësinë e tokës në të cilën ishte pika e ruajtjes ku punonte Ndue Gega, i punësuar nga një prej firmave të sigurisë së rrugës.
Por, si në jo pak raste, qoftë dhe punësimet në këtë autostradë apo vende të tjera pune, kanë tagrin e zbatimit të "ligjit kanunor" për pronësinë mbi tokën, dhe kjo ka shërbyer si arsye e mjaftë për të pasur konflikte të ashpra jo pak herë.
Sipas Ndue Gegës, i cili gjendet në pavionin kirurgjikal të spitalit të Rrëshenit i masakruar dhe i dëmtuar në fytyrë, krah e pjesë të tjera të trupit nga rrahja barbare që i është bërë natën e parmbrëmshme, ai ka qenë i punësuar tek firma e sigurisë, ndërsa ishte kërcënuar disa herë që të mos punonte aty, pasi, sipas kushërinjve Përshqefa, ishte toka e tyre ndaj u përkiste atyre të punonin aty.
Por Ndueja nuk ka pasur ndërmend të tërhiqej nga vendi i punës edhe pse kërcënohej, ndaj të dy kushërinjtë i shkojnë pas mesnate tek vendi i punës për ta detyruar që të tërhiqej.
Ai thotë se njëri prej tyre m'u drejtua se "të kemi thënë të mos punosh më këtu, ndërsa po e sqaroja se kur të më largonte firma, unë iki dhe jo se thoni ju, dhe si përgjigje nga ana tjetër kam marrë një goditje me një bisht lopate, duke u shembur përdhe. Më pastaj më kanë goditur dhjetëra herë në pjesë të ndryshme të trupit, derisa kam humbur ndjenjat.
Kur më doli të fiktit, ndërsa ata më godisnin, kam bërtitur me të madhe për të më dëgjuar roja tjetër që ishte më larg, ai i kërkoi ndihmë dhe vëllait të tij dhe vetëm pasi kanë ardhur ata të dy, u larguan dy dhunuesit, duke më lënë pa ndjenja".
Ndueja rrëfen se po të mos ishin dy vëllezërit që i erdhën në ndihmë, nuk do të ishte i gjallë, ndaj kërkon që personat që e rrahën të dënohen për aktin e vrasjes që ata kryen ndaj tij. "Unë nuk dua të kryej vetëgjyqësi, por të veprojnë ligjet e shtetit, pasi jam masakruar në detyrë, duke qenë roje sigurie",- thotë Gega.
Nga burimet policore mësohet se menjëherë janë ndaluar dy agresorët e dhunshëm, dhe për ta janë prerë fletë-arrestet. Nga ana tjetër, banorët e kësaj krahine ndihen tepër të shqetësuar nga ngjarjet e ditëve të fundit, kur persona të dhunshëm po ushtrojnë terror të pashembullt rast e pa rast mbi qytetarë të ndryshëm.