E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, dështon tenderi për zgjerimin e urave

Dështon për herë të tretë tenderi 13 milionë euro për dublimin e urave në aksin e autostradës Kukës-Morinë

Paraqitet vetëm kompania maqedonase "Granit". Tërhiqet nga gara kompania shqiptare dhe ajo sllovene


KUKËS - Tenderi për dublimin e urave në aksin rrugor Kukës-Morinë, pjesë e autostradës Milot-Morinë, ka dështuar për herë të tretë. Ky tender ishte planifikuar të zhvillohej këto ditë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, për dublimin e urave nga dy në katër kalime.

Specialistë të kompanisë supervizore "Tecnic Sintagma &SWS", që mbikëqyrin punimet në këtë aks rrugor, kanë bërë të ditur për "Shekulli"-n se në këtë tender është paraqitur vetëm kompania maqedonase "Granit", kështu që tenderi nuk është zhvilluar, duke u shtyrë. Fondi limit i tenderit për dublimin e urave dhe viadukteve në aksin Kukës-Morinë është rreth 13 milionë euro.

Dublimi i urave në aksin rrugor Kukës-Morinë ka lindur si nevojë e ndryshimeve në projekt, nga dy në katër korsi të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Sipas specialistëve të kompanisë supervizore, kishin paralajmëruar për të hyrë në tender një kompani shqiptare dhe një sllovene. Por asnjëra nga kompanitë nuk është paraqitur.

Mosparaqitja e kompanive nga Shqipëria dhe të atyre që veprojnë në Shqipëri, sipas specialistëve, tregon për mungesën e kapaciteteve të këtyre kompanive për ndërtimin e urave dhe viadukteve të përmasave të rrugës Kukës-Morinë.

Tenderi i parë për dublimin e urave në rrugën Kukës-Morinë është zhvilluar për herë të parë në qershor të vitit kaluar, pas akordimit të fondeve nga ana e buxhetit të shtetit shqiptar.

Pas dështimit për herë të parë, tenderi është përsëritur në muajin nëntor, por edhe ky tender pësoi fatin e të parit. Pas dështimit për herë të dytë të tenderit për dublimin e urave, në nëntor të vitit kaluar, zv.drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve të Shqipërisë, Skënder Çota, shpjegoi arsyet e dështimit.

Çota bëri të ditur për gazetwn "Shekulli" se në tenderin për dublimin e urave në aksin rrugor Kukës-Morinë, zhvilluar në nëntor të vitit tw kaluar, është paraqitur vetëm një kompani, dhe pikërisht kompania maqedonase "Granit", e cila sipas tij, ka dhënë një vlerë sa dy herë fondi limit i përcaktuar në termat e referencës në kontratë.

Nisur nga kushtet e krijuara, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka vendosur t'i akordojë një fond shtesë kompanisë "Granit" në kontratën ekzistuese.

Fondi do të përdoret nga kjo kompani për ndërtimin e bazamenteve të këmbëve të urave që do të dublohen dhe më pas do të procedohet për zhvillimin edhe një herë të tenderit. Ndërkohë që bëhet e ditur se tenderi për dublimin e urave në rrugën Kukës-Morinë do të përsëritet për herë të katërt pas tre muajsh.

----------------------------------------------------------------------------------------

Urat dhe veprat e artit në Kukës-Morinë


Segmenti Myç-Mamëz-Kukës-Morinë është etiketuar ndryshe si "rruga e urave". Këto vepra arti, pas tunelit të Kalimashit, janë më të vështirat për nga realizimi. Segmenti rrugor Kukës-Morinë ka në projekt shtatë ura, ndaj 29 urave që ka aksi Fushë-Dukagjin-Rrëshen, si dhe 10 viadukteve që ka aksi nga Myç-Mamëzi në Fushë-Dukagjin.

Ura më e madhe në segmentin Kukës-Morinë është ajo pranë ish-Uzinës së Bakrit në Rexhepaj, 400 metra e gjatë, 50 metra e lartë dhe me 10 këmbë. Kjo është ura më e madhe për nga gjatësia në të gjithë autostradën, nga Miloti deri në Morinë.

Deri tani, në këtë segment kanë përfunduar pothuajse pesë ura. Kanë mbetur pa u përfunduar dy ura në lotin e dytë, ku përfshihet edhe ura e Uzinës, e cila është në fazën e vendosjes së trarëve.

Për këtë urë ka përfunduar prodhimi i trarëve, të cilët janë vendosur në një pjesë të rrugës në jug të Urës së Uzinës. Ndërkohë që, edhe për viaduktin në kilometrin 13 450, mbi fshatin Breg Lum, ka përfunduar ndërtimi i këmbëve.

Por, për këtë viadukt nuk janë prodhuar të gjithë trarët për mungesë terreni. Sipas specialistëve të kompanisë supervizore "Tecnic Sintagma &SWS", vendosja vetëm në një krah e trarëve vështirëson së tepërmi transportin dhe vendosjen nëpër bazamente, po të kemi parasysh edhe faktin se Ura e Uzinës është e projektuar që të jetë një urë me hark.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›