E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: KOP në të gjithë rrethet

23/01/2005  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur dje se struktura të tilla si KOP-i do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij, shumë shpejt demokratët do të shpallin nisma të reja, që do kenë në thelb përmirësimin e situatës në vend. Deklarata e kreut të PD-së vjen një ditë pasi struktura e Komitetit të Orientimit të Politikave është ndarë në 11 nënkomisione, që do të kenë nën vëmendje sfera të caktuara të jetës. Në festimet e themelimit të degës së Vlorës, Berisha ka akuzuar ministrin e Rendit, Igli Toska, duke theksuar se ai është i implikuar në trafikun e klandestinëve. Madje, ai tha se të gjithë funksionarët e përfshirë në trafiqe do të dërgohen para drejtësisë, pas ardhjes së PD-së në pushtet.

Projekti

Berisha është shprehur para 5 mijë mbështetësve, se demokratët do të ndërmarrin reformat e duhura për të ulur taksat për biznesmenët. Një veprim i tillë, për demokratët nuk do të prekë aspak financat e shtetit, pasi do të ndërmerren hapat që taksat t'i paguajnë të gjithë. "Në rast se do të vilen taksat e pushtetarëve, prej të cilëve humbasin 1 miliard euro në vit, do të kishim një rritje të rëndësishme në investime". Në këtë mënyrë, kreu i PD-së tha se do të mbulohet dhe ulja e taksave, duke sjellë dhe një konkurrencë të ndershme. Në lidhje me investimet në qytetin e Vlorës, Berisha tha se mjafton që në këtë qytet të garantohet uji dhe drita 24 orë dhe do të kemi një rritje të turistëve tre deri në katër herë. "Vlora nga qendrat kryesore të biznesit dhe turizmit është një qytet pa drita, pa investime dhe e lënë në harresë. Ju garantoj se në rast të ardhjes së PD-së në pushtet, me këto kapacitete që ka Vlora do të ketë dyfishim deri në trefishim të pushuesve. Për këtë nevoitet uji dhe energjia 24 orë", tha kreyetari i PD-së. Sipas tij, qytetin e Vlorës forcat e majta kishin si synim ta kthenin në kryeqytetin e jugut monist, "por qytetarët e hodhën këtë pretendim në koshin plehrave".

Sulmi

Në lidhje me tragjedinë e 9 janarit të vitit që shkoi, ku 21 persona humbën jetën, pas një qëndrimi 12 orësh në det, Berisha tha se janë proceduar skafistët dhe sekserët, "por drejtësia dështoi në vënien para përgjegjësisë shefat e policisë të implikuar". Berisha theksoi se PD ka evidentuar qartë të gjithë ata që kanë kryer shkelje dhe me ardhjen e demokratëve në pushtet do të vihen para bankës së drejtësisë. Madje, ai tha se dhe vetë ministri Igli Toska është i përfshirë në trafiqe të dyshimta. "Toskën e kanë akuzuar kolegët e tij se ka shpërndarë drogë në Londër me pasaportë falso, por me foton e tij. Ministri nuk i ka kundërshtuar këto akuza, pra janë të vërteta", theksoi kreu i PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›