Moisiu: Politikanët të heqin dorë nga partitë-shtet
23/01/2005 Presidenti i Republikës ka përfituar nga përvjetori i 85-të i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, për t'i bërë thirrje politikës të kthejë sytë nga ajo çfarë kanë lënë patriotët shqiptarë dhe të largohen nga mentalitetet e partisë-shtet. "Ne kemi nevojë t'u rikthehemi mesazheve të paqes dhe bashkimit që u hodhën më 1920, kemi nevojë për të lënë pas ndarjet e së kaluarës dhe interesat e politikës së ditës, për një sistem politik të shëndosh, të aftë për t'u shkëputur nga konfliktet dhe mentalitetet e partisë-shtet, por dhe të prodhojë ide, projekte dhe alternativa për zhvillimin dhe integrimin e vendit". Sipas Presidentit, ka ardhur koha që politikanët shqiptarë të meditojnë për të reflektuar seriozisht. Sipas Moisiut, Kongresi i Lushnjës i mbajtur në janar të 1920, "erdhi në kohën e duhur, kur Shqipëria rrezikonte ndarjen e saj në favor të shteteve fqinje. Ai i dha fund përçarjeve dhe ndarjeve krahinore, dhe bashkoi shqiptarët në platformën e përbashkët të pavarësisë dhe progresit kombëtar". Duke iu drejtuar auditorit, Moisiu ka vazhduar më tej se Lushnja i dha Shqipërisë me këtë Kongres, kryeqytetin e ri, i dha forcën e unitetit dhe vullnetit për të ndërtuar një Shqipëri të pavarur e të lirë. Që nga Lushnja, Presidenti i Republikës ka dëshiruar të tërheq vëmendjen e të gjithë shqiptarëve që të shohin nga ky qytet i Kongresit për të mësuar nga shembulli i saj e për t'u udhëhequr nga ndjenjat e larta të bashkimit dhe përparimit. Por, në apelin e tij, Presidenti Moisiu nuk ka përjashtuar politikën dhe politikanët shqiptarë, të cilët, sipas tij, duhet të lënë interesat e ditës dhe të prodhojnë ide zhvillimi.