E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ç'duhet të bëjë Hamdiu,

23/01/2005  Ja çfarë ka detyrim bashkia apo komuna, ku jeton, për të ndihmuar në legalizimin e shtëpisë

Ç'duhet të bëjë Hamdiu,

pasi plotëson formularin

Hamdi Beqe ka plotësuar formularin që tërhoqi në Njësinë Bashkiake, ku banon. Tashmë, ai e ka plotësuar formularin me ndihmën e urbanistes së njësisë administrative. Hamdiu, së bashku me dy vëllezërit e tjerë, jeton në një vilë trekatëshe. Ai në fillim shkoi në zyrën e gjendjes civile të njësisë administrative ku jeton, tërhoqi certifikatën familjare për vete dhe për dy vëllezërit e tjerë. Që në fillim, ai vendosi emrin e vet, të vëllezërve dhe mori firmat e tyre. Ata do të jenë bashkëpronarë. Pasi plotësoi formularin ai e dorëzoi përsëri në njësinë e legalizmit të njësisë administrative të Tiranës. Të afërmit e tij, që banojnë në Elbasan, këtë formular e marrin, e plotësojnë dhe e dorëzojnë përsëri në Bashkinë e Elbasanit. Sipas rregullores së Bashkisë, Hamdiu do të shkojë përsëri në Bashki, pasi ka ardhur momenti që urbanistët të bëjnë azhornimin e shtëpisë së tij. Tani do të duket nëse të dhënat që ka hedhur në formular janë të vërteta, apo jo. Për të bërë azhornimin, ai duhet të paguajë në Bashkinë e Tiranës 40 lekë për metër katror. Hamdiu së bashku me vëllezërit ka zënë 600 metra katrorë, por vetëm 500 metra katrorë do t'i legalizohen, kështuqë do të paguaj 20 000 lekë të reja për të bërë azhornimin. Pasi bëhet azhornimi, banorit i jepen dy kopje, një të cilën e çon në Drejtorinë e Urbanistikës, që cakton se cilët janë kufitarët e tij dhe tjetrën në Drejtorinë e Infrastrukturës, që firmos rrjetin inxhinierik. Ndërkohë Bashkia ka nisur punën për të përgatitur planin urbanistik të zonës, Drejtoria e Infrastrukturës përgatiti se ku do të kalojnë rrugët dhe kanalizimet, ndërsa Drejtoria e Urbanistikës, cakton kufitarët. Pasi zona kalon të gjitha fazat, (studimi miratohet në KRT-në e Bashkisë, më pas paraqitet në KRRTRSH, miratohet dhe kthehet përsëri në KRT-në e Bashkisë së Tiranës, nis legalizmi një për një i ndërtesave). Gjatë kësaj kohe, e cila përfshin një periudhë të gjatë, rreth 1-vjeçare, është caktuar vlera e tokës nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe Bashkia ka marrë hartat nga Hipoteka. Por, toka e Hamdiut ka pronar. Hamdiu së bashku me vëllezërit dhe banorët e tjerë merr në Kadastër, ose në bashki emrin e pronarit. Më pas takohen së bashku dhe nisin të bisedojnë mbi aktin e pronësisë sipas lekëve që kanë në dispozicion. Hamdiu dhe vëllezërit janë gati të paguajnë secili pjesën e vet te pronari (të gjithë vlerën njëherazi). Pasi marrin se sa është çmimi i tokës në Komisionet vendore të Kthimit të Kompensimit të Tokave lidhin kontratën e shitblerjes. Ata kanë një vit kohë për të bërë këto veprime. Por, duke qenë se i kanë lekët nuk kanë ndërmend ta zgjasin shumë, të paguajnë me këste, apo me qira. Hamdiu dhe vëllezërit marrin në dorë aktin e pronësisë mbi tokën dhe e paraqesin përsëri në Bashki. Me gen-planin në dorë dhe aktin e pronësisë, ndërkohë që është miratuar dhe studimi urbanistik, ata janë gati të nisin legalizimin e shtëpisë. Pasi ke bërë kërkesë në Drejtorinë e Legalizmeve, Bashkia të jep autorizimin për legalizim shtëpie. Me këtë autorizim në dorë, Hamdiu shkon te Dega e Tatim-Taksave të Tiranës dhe bënë pagesën e taksës. Ai ka për të paguar dy taksa, një për shtëpinë dhe një tjetër për dyqanin. Hamdiu paguan 8 për qind të vlerës së shtëpisë dhe 14 për qind të vlerës së dyqanit, në Drejtorinë e Tatim-Taksave, ndërsa vëllezërit e tij paguajnë vetëm 8 për qind të vlerës së shtëpisë, pasi kanë dy katet e sipërme dhe s'kanë dyqan. Me faturën e pagesës në dorë, Hamdiu shkon përsëri në Bashki, ku dhe i dorëzon. Brenda 60 ditëve Bashkia është e detyruar të të japë dokuementin e ligjërimit të ndërtimit. Me këtë dokument, gen-planin, aktin e blerjes së tokës Hamdiu shkon në Hipotekë, rregjistron pronën dhe shtëpia bëhet e tij bashkë me tokën. Denisa Xhoga

Bashkia, fazat e legalizimit

1. Dorëzon formularin e plotësuar. Kush banon në Tiranë e tërheq dhe e dorëzon formularin në zyrat e Njësisë Administrative, të tjerët në zyrat e Bashkisë, apo Komunës ku banojnë.

2. Shkon në njësinë vendore ku banon dhe paguan faturën për të bërë gen-planin urbanisti. Pagesa është 40 lekë për metër katror

3. Merr dy kopje të gen-planit, një që do të firmoset nga Drejtoria e Infrastrukturës, tjetri nga urbanisti, duke shënuar kufitarët

4. Paguan gjobën e legalizimit në Drejtorinë e Tatim-Taksave. 8 për qind për shtëpi, -----14 për qind për dyqan. Ndërtesa kalon për legalizim.

UDHËZIMI I BASHKISË

Fazat që duhet të ndjekë përgatitja e dokumentacionit të një objekti që kërkon të legalizohet

FAZA E PARË:

I interesuari paraqitet pranë Zyrës së Informacionit në Bashkinë e Tiranës me dokumentin e pronësisë dhe paguan faturën për gen-planin, në bazë të sipërfaqes që përmban vërtetimi i pronësisë.

Pagesa është 40 lekë/m2.

Pagesa do të bëhet në arkën pranë Zyrës së Informacionit. Kjo pagesë është e pakthyeshme. Pregatitet gen-plani i azhornuar, me gjithë rrjetin rrugor të përcaktuar nga Drejtoria e Infrastrukturës dhe i jepet qytetarit në 2(dy) kopje.

Shënim: Objektet që preken nga Vija e Ndërtimit nuk vazhdojnë procedurat e mëtejshme.

FAZA E DYTË:

Shqyrtohen objektet që rezultojnë në rregull (në lidhje me Vijën e Ndërtimit dhe zonimin).

• Në kopjen e parë të gen–planit do të hidhen firmat për rrjetin inxhinierik, marrë nga ndërmarrjet përkatëse sipas formularit 3/1.

• Në kopjen e dytë do të hidhet njolla e objektit dhe kufiri i pronësisë nga projektuesi (arkitekti).

Kërkuesi përgatit dokumentacionin teknik dhe juridik konform informacionit sqarues mbi dokumentet që duhet të përmbajë dosja dhe kjo e fundit dorëzohet në Zyrën e Informacionit pranë Bashkisë së Tiranës, ku dhe protokollohet.

FAZA E TRETË:

Pasi merret vendimi nga ana e KRRT-së për legalizimin e ndërtimit do të bëhet edhe pagesa e gjobës që parashikon ligji:

PËR NDËRTIME ME QËLLIM BANIMI 4% e vlerës së investimit, 4% e vlerës së investimit - 8%

PËR NDËRTIME ME QËLLIM TREGTARE 10% e vlerës së investimit, 4% e vlerës së investimit - 14%

Këto pagesa do të bëhen pranë Drejtorisë së Tatim-Taksave nëpërmjet tërheqjes së autorizimit të pagesës pranë Drejtorisë së Legalizimit dhe Shpronësimeve.

Tarifat janë të sqaruara në autorizimet përkatëse.

Shënim:

Objektet që marin vendim negativ KRRT-je, pra të cilave nuk u miratohet leja e legalizimit kanë të drejtën të paraqesin një ankesë të argumentuar në Këshillin Bashkiak.

Dokumentacioni teknik dhe juridik që duhet të përmbajë kërkesa për legalizim

Legalizohen ato ndërtime të cilat janë ndërtuar para tetorit 1998 dhe të ndërtuara mbi tokën private.

1. Vërtetimi i pronësisë së truallit nga hipoteka dhe harta treguese provizore. Ky vërtetim të jetë i tre muajve të fundit dhe origjinal.

2. Origjina e pronës si më poshtë: - Vendimi i komisionit të kthimit të pronave.

- Dhurim

- Akt trashëgimie

- Kontratë shit–blerje.

Kjo të jetë e fotokopjuar dhe e noterizuar.

3. Gen-plan i azhornuar me gjendjen faktike, i konfirmuar nga Sektori i Kadastrës Urbane. Ky gen-plan del me vulë të Bashkisë, kundrejt tarifës 40 lekë/m2.

4. Formulari Nr.3/1, i cili bashkë me një fotokopje të gen-planit (pika 3) do të pasqyrohet lidhja e objektit me infrastrukturën kgzistuese si: Rrugë, kanalizime, rrjeti elektrik, telefoni, ujësjellësi, higjienë, mbrojtja kundra zjarrit dhe mjedisi.

5. Projekti i ndërtesës ekzistuese Arkitektonik dhe Konstruktiv të firmosur nga projektuesit (arkitekt, konstruktor) në tre kopje i cili të përmbajë:

- Plan-vendosja e objektit të ndërtuar ku të evidentohen konturi i ndërtimit, distancat nga kufiri i pronës dhe nga pronat e kufitarëve.

- Planimetritë e të gjitha kateve.

- Dy prerje të ndërtesës.

- Katër pamje.

- Plani i themeleve

- Prerjet e themeleve.

- Plani i strukturave horizontale.

- Armimi trarë, kollona, soletë me gjithë prerjet e nevojshme.

6. Liçensat e arkitektit dhe konstruktorit, të fotokopjuar dhe noteruar.

7. Relacion teknik i konstruksionit, origjinal dhe në tre kopje, ku të përfshihet: skema, tipi i themelit, tipi i konstruksionit mbajtës si dhe tipi i strukturave horizontale.

8. Dokumentet fotografik (297x210 mm)i ndërtimit, ku të përfshihen të gjitha fasadat. Fotografia të bëhet në ditët që futet dosja.

9. Fotomontazh për objektet mbi 3 kate.

10. Të dhënat e studimeve gjeologo-inxhinierike nga persona të licensuar.

11. Për objekte mbi 8 kate edhe studimi sizmologjik.

12. Kontratë noteriale me firmën ndërtuese, e cila ka ndërtuar objektin.

13. Licensa e firmës ndërtuese e fotokopjuar dhe noteruar.

14. Deklaratë noteriale nga kufitarët për rastet kur kufiri i pronës është kallkan ose kur distancat urbane janë shkelur.

15. Pasi është bërë dorëzimi i dosjes dhe kontrolli i saj nga specialisti përkatës pranë kësaj Drejtorie, do të bëhet kontrolli në terren i projektit. Në këtë moment do të bëhet pagesa për kontrollin e objektit në Bashki.

• për objekte nën tre kate kjo pagesë është 8 000 lekë. Ndërsa për objekte mbi 3 kate është 8 000 lekë plus 1 000 lekë për çdo kat shtesë.

Mbas miratimit të legalizimit nga KRRT dosja plotësohet:

1 Preventivi në tre kopje nga inxhinieri zbatues.

2 Vlerësimi tekniko–ekonomik nga një inxhinier i licensuar në këtë fushë, duke respektuar koston dysheme (aktualisht 30,84 lekë/m2) përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave, në tre kopje origjinale.

3 Licensa e fotokopjuar dhe e noteruar e vlerësuesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›